Presidenti Meta vlerëson ekipin e futbollit të Besës dhe 5 ish-futbollistë të shquar

Presidenti i Republikës, Ilir Meta nderoi me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” ekipin e futbollit “Besa”, me motivacionin “Për kontributin dhe përfaqësimin me dinjitet të futbollit shqiptar.

Djep i talenteve të mëdha të futbollit me rezultate të shkëlqyera në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare.” Po ashtu presidenti nderoi dhe pesë ish-futbollistë të shquar të ekipit kavajas dhe atij Kombëtar Shqiptar.

Me titullin ‘’Mjeshtër i Madh’’ janë nderuar: Alush Merhori, Muharrem Kariqi, Dashnor Bajaziti, Naim Aliaj dhe Altin Rraklli.

 

Reagimi nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta:

Kavaja dhe futbolli janë binom i një tradite të hershme sportive, të nisur 96 vite më parë.

Në historinë e këtij sporti në vendin tonë, “Besa” mban me meritë vendin e saj të nderit, si një skuadër me emër të madh, që me të drejtë është quajtur ‘djepi i futbollistëve të talentuar’, të cilët i kanë dhënë lavdi dhe dinjitet fanellës së ekipit të tyre, por edhe kuqezi të Kombëtares sonë.

“Besa”, fituese e dhjetëra titujve dhe vlerësimeve ndër vite, është përfaqësuese e disa gjeneratave të arta, të skalitura në kujtesën e sportdashësve tanë, si e para skuadër që aplikoi me sukses ‘offside’ artificial, si pjesë të taktikës së saj.

Për futbollin shqiptar një taktikë e tillë në mbrojtje ishte një surprizë, që ‘Besa’ e praktikoi për sezone të tëra, duke çorientuar vazhdimisht kundërshtarët.

Gjithë dashamirësit e futbollit ruajnë dhe sot kujtime të bukura dhe emocionuese të ndeshjeve të jashtëzakonshme dhe dinjitoze të skuadrës së ‘Besës’, në aktivitete kombëtare e në ndërkombëtare.

Ndaj dhe për të gjitha këto kontribute të dhëna për zhvillimin cilësor të futbollit tonë, si dhe për rezultatet e shkëlqyera të arritura ndër vite, brenda e jashtë vendit, që kanë lartësuar emrin e Kavajës dhe imazhin e Shqipërisë në arenat sportive, pata kënaqësinë të vlerësoj ekipin “Besa” me Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”.

Sporti në Kavajë ka nevojë të vlerësojë historinë e tij të lavdishme dhe të jetë krenar për të, në mënyrë që “Besa” të rikthehet edhe më e fuqishme në arenën e futbollit.