Real Sociedad mund Athletic Bilbao-n dhe fiton trofeun e parë pas 34 vjetësh

Real Sociedad është fituesi i Kupës së Mbretit për sezonin 2019/20, pasi mundi Athletic Bilbao-n 1-0 në finalen e mbrëmshme të luajtur pothuajse një vit më vonë në Sevilje.

Goli i vetëm i ndeshjes u shënua nga Mikel Oyarzabal nga pika e bardhë në minutën e 63-të, pas një faulli të shkaktuar në zonë nga ish-lojtari i Sociedad, Inigo Martinez.

Arbitri kryesor Estrada fillimisht i tregoi Martinezit kartonin e kuq për këtë faull, por pasi pa VAR-in ai ndryshoi mendje dhe i dha mbrojtësit  të Athletic vetëm një karton të verdhë.

Pas këtij triumfi, Real Sociedad arriti të ngrinte Kupën e tretë, pas atyre në  vitin 1909 dhe 1987, kur ky klub fitoi gjithashtu trofeun e tij të fundit para natës së mbrëmshme.

Nga ana tjetër, Athletic, mbeti në 23 tituj të fituar të Kupës, ku për herë të fundit e fitoi këtë kompeticion në vitin 1984 ndërsa kjo ishte disfata e tij e pestë radhazi në finale.

Kujtojmë, Athletic do të luajë përsëri pas dy javësh në finalen e Kupës, këtë herë për sezonin 2020/21, dhe kundërshtari i tyre në finale do të jetë Barcelona.