Italia fillon bllokimin e rreptë të Pashkëve

Italia ka hyrë në një bllokim të rreptë triditor për të parandaluar rritjen e rasteve me Covid-19 gjatë Pashkëve.

Të gjitha rajonet janë tani në "zonën e kuqe" - niveli më i lartë i kufizimeve ky – në një kohë që vendi lufton me një valë të tretë pandemie me rreth 20,000 raste të reja në ditë.

Lëvizja pa arsye të rëndësishme është e ndaluar, por njerëzit lejohen të hanë një drekë a darkë Pashkësh në shtëpitë e tyre me dy persona të tjerë.

Kishat janë gjithashtu të hapura, por besimtarëve u thuhet të marrin pjesë në ceremonitë dhe meshat brenda rajoneve të tyre.

Për të dytin vit Papa Françesku do ta japë mesazhin e tij të Pashkëve në sheshin bosh të Shën Pjetrit.

Pas fundjavës së pushimeve, rajone të ndryshme do të qëndrojnë më pas në kufizimet e "zonës portokalli" ose "zonës së kuqe" deri në fund të muajit.

Kufizimet e Italisë vijnë ndërkohë që vendet në të gjithë Evropën përpiqen të kontrollojnë një rritje në rastet me koronavirus dhe luftojnë me vonesat në vaksina.

Më shumë se 110,328 njerëz në total kanë vdekur nga koronavirusi në Itali dhe ka pasur 3,629,000 infeksione të konfirmuara.

Si është situata në Itali?

Pak më shumë se një vit pasi Italia u bë vendi i parë perëndimor që u godit nga një epidemi e koronavirusit, vendi tani po përballet me një valë të tretë dhe një festë të dytë të Pashkëve në bllokim.

Më 1 prill, Italia regjistroi 23,634 raste të reja dhe 501 vdekje.

Sipas masave të reja të bllokimit, të gjitha dyqanet jo-thelbësore janë të mbyllura dhe kafenetë dhe restorantet po përdorin një shërbim vetëm për të marrë me vete.