Dy oficerë policie plagosen pasi një automjet përplaset me një barrikadë pranë Kapitolit

Një makinë u përplas në një barrikadë pranë Kapitolit të Shteteve të Bashkuara të premten pasdite, duke plagosur dy oficerë të Policisë së Kapitolit, i thanë dy zyrtarë të rendit agjencisë Associated Press.

Drejtuesi i automjetit u qëllua me armë dhe është dërguar në spital në gjendje kritike, sipas policisë.

Policia e Kapitolit thotë se ngjarja ndodhi tek një pikë kontrolli pranë Kapitolit. Incidenti vjen ndërsa zona e Uashingtonit vazhdon të jetë në gatishmëri, gati tre muaj pasi një turmë kryengritësish të armatosur sulmoi Kapitolin ndërsa Kongresi po votonte për të konfirmuar fitoren e presidentit aktual Joe Biden.

Policia e Kapitolit thotë se dikush "godit me një automjet dy oficerë të policisë së Kapitolit " dhe se një i dyshuar u ndalua.

Një nga oficerët që u plagos u dërgua me makinë policie në spital; tjetri po transportohej nga ekipet e urgjencës mjekësore, thanë zyrtarët.

Zyrtarët nuk mund ta diskutonin çështjen publikisht dhe folën me agjencinë AP në kushte anonimiteti.

Kompleksi i Kapitolit u vendos në izolim pas imcidentit dhe askush nuk mund të hynte ose të dilte nga godinat e kompleksit.

Rrethimet që pengonin trafikun e automjeteve pranë asaj zone u hoqën së fundmi, pasi Kapitoli filloi të rihapej pas trazirave të 6 janarit./ VOA/