‘SPAK të nisë hetimet’/ Meta: Avokatura e Shtetit gënjeu Presidentin kur tha se nuk e kishin humbur gjyqin me Becchettin

Presidenti Ilir Meta ka reagur fuqishëm pas vendimit për lënien në fuqi të gjobës prej 110 milionë eurosh ndaj qeverisë shqiptare, për shkak se Rama mbylli në mënyrë të paligjshme 5 vite më parë Agon Channel.

Meta shkruan se Avokatura e Shtetit e ka gënjyer Presidentin duke pretenduar se nuk e ka humbur gjyqin me kompaninë në fjalë, madje duke fshehur informacion.

Presidenti Meta I kërkon SPAK të nisë menjëherë hetimet ndaj avokaturës së shtetit.

‘E kam paralajmëruar prej kohësh Qeverinë ende në detyrë të heqë dorë nga arroganca dhe të tërhiqet nga çdo vendim abuziv e jashtë procedurave ligjore ndaj investitorëve të huaj në vendin tonë.

Vetëm për tekat dhe kapriçot personale të Kryeministrit, i cili e urren edhe lirinë e medias, tashmë Shqipëria është e detyruar të paguajë 110 milion euro.

Skandali merr përmasa më të mëdha, për shkak se Avokatura e Shtetit e ka gënjyer Presidentin e Republikës duke pretenduar se nuk e ka humbur gjyqin me kompaninë në fjalë, madje duke fshehur informacion.

Në këto kushte, i bëj thirrje Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK), të nisë urgjentisht hetimet penale për këtë dëm të madh ekonomik të shkaktuar shtetit dhe që do paguhet fatkeqësisht me paratë e të gjithë taksapaguesve shqiptarë.

Është koha, që Drejtësia të vendosë para përgjegjësisë ligjore, të gjithë shkaktarët e këtij dëmi ekonomik, edhe për të parandaluar në të ardhmen dëme më të mëdha për Buxhetin e Shtetit dhe taksapaguesit shqiptarë, për shkak të shpërdorimit të detyrës dhe abuzimit me pushtetin të zyrtarëve të lartë.’