19 kg kokainë në banesën e çiftit shqiptar, arrestohet gruaja, në kërkim burri

Një shtetase shqiptare me banim në Martina Franca është arrestuar nga policia italiane, ndërsa bashkëshorti i saj, edhe ai shqiptar, është në kërkim, me akuzën e zotërimit dhe trafikut të drogës.

Çifti shqiptar ishte prej kohësh nën vëzhgimin e policisë së Grottaglies, për kryerjen e trafikut të kokainës dhe heroinës, me ndihmën e një grupi shqiptarësh të tjerë, banues në komunat e Ceramiches, të cilët shërbenin si korrierë. 

Policët monitoruan në mënyrë të vazhdueshme zonën rurale ku ishte banesa e çiftit dhe zhvillohej aktiviteti i paligjshëm.

Pasi ndoqën takimin e shqiptarit me një nga korrierët, policët ndoqën këtë të fundit, i cili ishte drejtuar për në Grottaglie, dhe e ndaluan për të ushtruar kontroll në Mercedesin e tij. Në makinë iu gjetën 900 euro në kartëmonedha me prerje të vogël, për të cilat nuk ishte në gjendje të ofronte një shpjegim të pranueshëm.

Një skuadër tjetër policësh trokiti në derën e çiftit për kontroll banese, ku gjetën fillimisht 20 doza marijuane e 29 kokaine, gati për shitje.

Me vazhdimin e kontrollit, agjentët zbuluan një qese plastike të zezë, brenda së cilës ishin 14 kile kokainë, dhe një thes tjetër najloni, me 5 kile të tjera kokainë.

Gruaja 41-vjeçare u arrestua në vend, ndërsa për bashkëshortin, 49 vjeç, është lëshuar mandat arresti, pasi arriti t’i shpëtonte policisë, duke u largua nga vendbanimi.