Kina: SHBA të heqë të gjitha ‘sanksionet e paligjshme’ ndaj Iranit

Kina i bëri thirrje administratës amerikane të heqë të gjitha "sanksionet e paligjshme" ndaj Iranit pasi përshëndeti kthimin e Washingtonit në marrëveshjen bërthamore të Iranit.

"Kina mirëpret kthimin e SHBA-së në marrëveshje dhe e nxit atë të heqë të gjitha sanksionet e paligjshme ndaj Iranit dhe të ndalojë juridiksionet e njëanshme", tha Hua Chunying, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, në një konferencë për media në Pekin

Siç raporton e përditshmja kineze "Global Times", Hua tha se Kina qëndron "e vendosur" ndaj Planit të Përbashkët të Veprimit (JCPOA), i njohur zakonisht si marrëveshja bërthamore e Iranit.

Pekini ka luajtur një rol konstruktiv, tha ajo, ndërsa SHBA-ja "ngre tensionet sepse u largua nga JCPOA".

Kina kohët e fundit ka shtuar thirrjet e saj për heqjen e sanksioneve ndaj Iranit të vendosura kryesisht nga SHBA-ja mbi eksportet e naftës së Teheranit për shkak të programit të tij bërthamor.

Muajin e kaluar, Kina dhe Irani nënshkruan marrëveshjen e shumëpritur 25-vjeçare të bashkëpunimit strategjik si pjesë e Nismës Kineze "Rrip dhe Rrugë".

Marrëveshja prej 400 miliardë dollarësh ishte farkëtuar që nga janari 2016 kur presidenti kinez, Xi Jinping u bë udhëheqësi i parë botëror që vizitoi Iranin pas nënshkrimit të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 midis Iranit dhe fuqive botërore.

Kur u pyet për koment mbi planin e investimeve të infrastrukturës së presidentit të SHBA-së, Joe Biden, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze tha se kjo është "çështje e brendshme e SHBA-së".

"Kina ka filluar një strategji të re zhvillimi dhe do të shtyjë hapjen në mënyrë që më shumë vende të mund të ndajnë sa më shumë dividentin e zhvillimit të Kinës", tha Hua.

Komentet e saj erdhën pasi Biden prezantoi planin e tij prej 2 trilionë dollarësh për të rigjallëruar infrastrukturën e vjetëruar të SHBA-së, duke kërkuar një rritje të taksave për korporatat për të mbuluar kostot e saj.

Lidhur me rritjen e dhunës në Mianmarin fqinj, ajo tha se: "Kina shpreson që partitë e ndryshme politike në Mianmar duhet të fillojnë dialogun dhe konsultimet sa më shpejt të jetë e mundur".

“Kina shqetësohet seriozisht për shkak të dhunës dhe gjakderdhjes atje, e cila dëmton njerëzit e Mianmarit. Palët duhet të përmbahen për të shmangur përkeqësimin e situatës”, shtoi zëdhënësja Hua.

Të paktën 536 persona janë vrarë deri më tani në shtypjen ushtarake kundër protestuesve paqësor pro-ligjit civil që nga marrja e pushtetit nga junta më 1 shkurt në Mianmar, sipas Shoqatës së Ndihmës për të Burgosurit Politikë, një grup i të drejtave me bazë në Tajlandë.

Ushtria e Mianmarit menjëherë pas grushtit të shtetit shpalli gjendje të jashtëzakonshme njëvjeçare përveç krijimit të këshillit të saj për të drejtuar punët e vendit me shumicë budiste