Shaka apo nuhasin vjedhjen?! - Nuk duam ujësjellës të ri more, se kemi ujë 24 orë!

Lloj – lloj çudish po dalin në pah në këtë fushatë për zgjedhjet e 25 prillit, lloj – lloj protestash kanë shpërthyer në vend e më e fundit sot, deri edhe për qentë që vret pa mëshirë kryebashkiaku Erion Veliaj.

Mirëpo një revoltë si ajo që ka shpërthyer në fshatin Barmash të Kolonjës, shumë larg Tiranës, nuk qe parë. Fshatarët kanë ngritur zërin që t’i dëgjojë Tirana: "Mos na ndërtoni ujësjellës, se ne kemi ujë 24 orë!

Së paku në këtë fshat qenka mbajtur një premtim i qeverisë, po pyetja është: çfarë i paska acaruar kaq shumë banorët, që s’e dashkan edhe një ujësjellës të dytë?! Kur ka qindra fshatra pa ujë të pijshëm, pse u zemërokan këta kolonjarë se do të bëhen me nga dy çezma nëpër shtëpia?!

Shpjegimin e kësaj “mirësie” e bëri Ervin Salianji, kandidati për deputet i PD-së në qarkun e Korçës.

“Po vjedhin gjithçka para largimit, - tha Salianji. -  Rast i paprecedent ky që ndodh në fshatin Barmash në Kolonjë! Banorët ngrihen në protestë jo se nuk kanë ujë, por sepse ndonëse kanë ujë 24 orë… kanë marrë njoftimin se do t’u ndërtojnë një ujësjellës të ri!!!

I skandalizuar për këtë vjedhje të fundit para largimit është edhe ish-kreu socialist i Barmashit!”thotë demokrati.

Mirëpo një premtim është bërë tashmë: “Asgjë nuk i shpëton nga humbja! Për këtë rast dhe çdo rast flagrant do të përballen në gjykatë!” theksoi Salianji me bindje./ar.sh/SYRI.NET