Ilir Daja flet në prag të përballjes me Vllazninë: Kontigjenti është i plotë, e vështirë!

Partizani rikthehet të luajë në kampionat, teksa ditën e nesërme do të sfidojë Vllazninë, e cila është e programuar të zhvillohet në stadiumin “Loro Boriçi” me fillim nga ora 16:00.

Në vigjilje të kësaj supersfide në konferencën për shtyp është shfaqur përpara gazetarëve trajneri i të kuqve, Ilir Daja i cili ka analizuar këtë takim:

Ndërprerja kampionatit

Daja: Mendoj që kemi marr disa energji sidomos javën e kaluar kur janë ulur edhe ngarkesat sepse ka qenë shumë e domosdoshme mbas një periudhe shumë të vështirë dhe të ngjeshur. Duke filluar që nga nesër në ndeshjen me Vllazninë futemi me ritmin aty ku e kemi lënë. Kjo periudhë na ka shërbyer pozitivisht në aspektin e akumulimit të energjive, por duhet të shikojmë që të ruajmë të njëjtin ritëm edhe për ndeshjen e nesërme dhe në vazhdimësi.

Skuadra e kompletuar përpara Vllaznisë ?

Daja: Nesër kemi një ndeshje të vështirë , sepse luajmë ndaj Vllaznisë e cila ka kryesuar kampionatin me meritë. Përpos grumbullimit të pikëve Vllaznia ka zhvilluar edhe një kampionat shumë të mirë e shoqëruar edhe me performanca shumë të mira. Ne jemi po aty 2 pikë diferencë  nga kryesuesit. Për nesër në dispozicion e kemi të gjithë kontigjentin, sepse mbrëmë është kthyer edhe Ferhan Hasani. Mungon vetëm Domingues i cili kthehet pak më vonë në Tiranë, për shkak të distancës së madhe me vendin tonë. Deri në seancën e fundit që do të zhvillojmë sot do të kujdesemi që të mos na dëmtohet njeri për të shkuar nesër me Vllazninë me të gjithë kontigjentin.

Përballja me Vllazninë

Daja: Ne do të bëjmë lojën tonë , do bëjmë atë që kemi bërë deri në këto momente. Ndeshja është e vështirë pasi edhe Vllaznia do të kërkojë të bëjë lojën e vet. Besoj që ai ekip që do imponoj dhe do drejtoj lojën do ketë më shumë shanse për të shkuar te fitorja. Janë dy ekipe që i ndajnë vetëm dy pikë diferencë , kjo do të thotë që të dy ekipet kanë shanse të barabarta edhe për vetë ecurinë dhe formën që që kanë janë dy ekipe rivale. Natyrshëm që ne e kemi përgatur ekipin për të hyrë në lojë që të marrë maksimumin, por një fitore nuk do të thotë që mbyllet kampionati sepse ka edhe shumë javë të tjera më pas. Një fitore nesër ka një anë psikologjike më të mirë sepse e arrin ndaj Vllaznisë e cila kryeson kampionatin. Edhe me rivalët e tjerë kemi luajtur shumë mirë , ndoshta shpesh herë na ka munguar fitorja panvarësisht se performanca ka qenë mjaft e mirë.

Përballjet direkte mund të vendosin titullin ?

Daja: Për vetë orgaznimin e këtij kampionati që ka nisur më 4 nëntor, është java e parë që lojtarët kanë patur një javë jo pushimi por për të ulur ngarkesat. Besoj që të gjithë ekipet kanë patur oshilacionet e tyre për shkak të situatës që jetojmë nuk e kanë pasur gjithë kontigjentin në dispozicion dhe këto janë ndier në çdo ekip siç edhe janë ndier edhe te ne. Ashtu siç ka filluar dhe siç po vazhdon besoj që ashtu do jetë edhe finishi për këto 11 javë që besoj do jenë shumë të luftuara dhe do kenë prap ulje ngritjet e tyre. Sigurisht në këtë moment  gabimet nuk lejohen sepse çdo ekip që gabon tani ka pak javë për të rikuperuar. Por edhe gabimet nuk duhet të merren si një dramë sepse përderisa janë 5 ekipe që luftojnë për titullin kampion secili prej tyre do gaboj. Besoj që do shkoj deri në fund ai ekip që do gaboj më pak.

Situata me rinovimet ?

Daja: Ne e kemi shtyrë vetë proçesin e rinovimeve. Kemi biseduar me lojtarët , panvarësisht se çfarë flitet lart e poshtë. Nga eksperiencat që kemi nga ekipet e tjera një ekip si Partizani do të mbaj më shumë se 80% të grupit aktual ,sepse ne do luftojmë që këtë Partizan ta çojmë më tej dhe nëse duam ta bëjmë një gjë të tillë duhet që baza të jetë te ky grup për të vazhduar të kemi një ecuri më të mirë. Ndoshta nuk është momenti për rinovimet sepse duhet që ta bëjmë në një kohë të gjithë bashkë sepse në Shqipëri dihet që kush firmos e merr vesh gjysma e shtetit. Për të shmangur këto lloj problemesh kemi rënë dakord që të dëgjojmë lojtarët një herë për pretendimet që kanë dhe pastaj për të shkuar drejt rinovimeve.

Do të ketë minuta për Ferhan Hasanin

Daja: Ferhan Hasani nuk ka patur minuta sepse nuk ka qenë vendim i stafit teknik , por ka qenë vendim i stafit mjekësor. Për ta përforcuar këtë  ka qenë një vendim që ka shkuar paralelisht, bashkë me stafin tonë kemi marrë edhe ndihmën e stafit mjekësor të ekipit kombëtar , të cilët përcaktuar që mundësia për tu aktivizuar Hasani ishte ajo që përkoj me ndeshjen e dytë që zhvilloi kombetarja e Maqedonisë një ndeshje relativisht të lehtë dhe pa ndonjë ngarkesë të madhe. Kjo ka qenë koha që Ferhani mund të filloj gradualisht nëse nuk do të ketë asnjë lloj shqetësimi shëndetësor. Tani që po flasim deri në këto momente nuk ka ndier shqetësime dhe presim që të japi edhe ai ndihmën e tij sepse dihet që ka goxha vlera si individ. Po e përsëris që mungesa e Hasanit më përpara nuk ka qenë problem i stafit teknik , por ka qenë vendim i stafit mjekësor të klubit.