Mirditorja 87-vjeçare në krye të protestës kundër HEC-it: Po ne prej këtij mali e këtij uji qëndruam këtu!

Banorët e fshatit Thirrë dhe  Sang në Mirditë kanë protestuar për ndërtimin e një HEC-i dhe të një fabrike uji në zonën e tyre. Sipas tyre, kompanitë private po i shfrytëzojnë ujërat pa u konsultuar me banorët e zonës, ndaj edhe kanë bërë denoncim për falsifikim të firmave të tyre.

Por mes banorëve të Mirditës ishte një zonjë 87 vjeçe,  më e moshuara, e cila mbajti një fjalim mbresëlënës, që mori vëmendje.

“Unë jam më e vjetra, Ruta Bajraktari! - tha zonja. -  Ne me këtë ujë dhe me këtë mal kemi jetuar, kemi qëndruar prej këtij mali e prej këtij stani e prej këtij uji! Tani duan të na e marrin dhe ujin?! Të na marrin ujin, të na marrin dhe shpirtin?! Jam 87 vjeçe dhe kam ardhur sot këtu,” - deklaroi Bajraktari.

Rreth 500 banorë dhe ish-banorë që kanë pronat e tyre në këto fshatra, kërkojnë që të ndalohen punimet, pasi uji i këtyre burimeve është jetik për ta. “Me këtë bjeshkë e me këto ujëra, jam bërë 80 vjeç sot,”-deklaroi një tjetër banor. Ata u shprehën se se do të protestojnë duke bllokuar Rrugën e Kombit.