Kokaina/ Ku janë përqendruar hetimet për babain e Arbër Çekajt

Selim Çekaj u arrestua nga policia pas kapjes së 49 kilogramë kokainë në kontenierin me banane që vinte nga Ekuadori. Kontenieri ishte porosi e Çekajt dhe do të mbërrinte në magazinën e tij “Ecoalmax” në Maminas.

Selim Çekaj është babai i Arbër Çekajt, i cili gjithashtu është në burg për kapjen e 613 kg kokainë në kontenierin me banane që vinte nga Kolumbia në vitin 2018.

Kështu familja Çekaj është rikthyer edhe njëherë në vëmendje për mënyrën e trafikimit të drograve të forta nga vendet e Amerikës Latine, përmes kontenierëve me banane.

Mësohet se policia e Durrësit po verifikon komunikimet e administratorit të arrestuar, Çekajt, nëse ka pasur takime apo komunikime me persona te dyshimtë që mund të kenë lidhje me porosinë e lëndës narkotike.

Ndërkaq, para grupit hetimor Selim Çekaj e ka mohuar të ketë lidhje me kokainën dhe është shprehur se porosia e tij ishin vetëm bananet.