Meta: Ardian Dvorani duhet të shkojë në burg, mafia ndërkombëtare i ka në telefon mesazhet e mia

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, dha një deklaratë të fortë, teksa i ftuar në “ABC News” tha se ish-kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, duhet të shkojë në burg për dhunimin e Kushtetutës.

Gjithashtu Presidenti Meta tha se mafia ndërkombëtare ka regjistruar telefonatat e tij.

“Ilir Meta nuk e llogarit fare mafien ndërkombëtare. Mafia ndërkombëtare i ka të regjistruara në telefonat e saj mesazhet e Presidentit, por dhe ballë për ballë i kam paralajmëruar: Duhet të jenë shumë të kujdesshëm me Shqipërinë dhe me shqiptarët. Shqiptarët janë zot në vendin e tyre dhe ne, zgjidhjen do e japim vetë.

Ardian Dvorani është dhunues i Kushtetutës, këtë së ndryshon asnjë gjë. Ardian Dvorani do shkojë ne burg për dhunimin e Kushtetutës, kjo punë ka marrë fund. Shpëtim për të nuk do të ketë. Këtë ta kenë të qartë të gjithë”, deklaroi Meta.