‘Jemi sëmurë!’/ Gazetari zbulon prapaskenat: 7 gjyqtarë u tërhoqën nga dosja ‘Çapja’

Në ambientet e pavijonit të kardiologjisë në Tiranë gjykatësja Pajtime Fetahu vendosi që Aridian Çapja të hetohet me masën e arrestit me burg.

Ky sipas gazetarit Artan Hoxha është një lajm i mirë, pasi deri më sot ka qenë e pamundur të gjendej një gjyqtar që të vendoste këtë masë sigurie për Çapjan.

52-vjeçari është i shtruar prej tre ditësh tek kardiologjia, në spitalin Nr.1 në QSUT për shkak të problemeve me zemrën ndërsa akuzohet se ka paguar Ervis Bardhin për vrasjen e Gentian dhe Nezir Beqirit në 2012-tën në Elbasan.

Gjyqtarja e Elbasanit, Pajtime Fetahu është parë duke hyrë në ambientet e spitalit ndërsa shoqërohej nga një punonjës për sigurinë e saj. Edhe prokurorët Ritvan Sukaj dhe Kreshnik Ajazi janë marrë në mbrojtje nga policia.

Prandaj, siç u shpreh edhe gazetari Hoxha në një bisedë me Jonida Shehun në “Radari Informativ” në ABC, kjo ishte një seancë që nuk e kishim parë ndonjëherë.

“Ishte një seancë që s’e kishim parë. Por mesa duket, Çapja ka pasur gjithnjë këtë alibi, që ka probleme shëndetësore. Mund të merrte minimumi një arrest shtëpiak, por e pamë të gjithë skemën sot, si shkuan të gjithë të mbrojtur.”

Duke u kthyer tek çështja e gjyqtarëve, Artan Hoxha bëri të ditur se janë shtatë gjyqtarë që janë tërhequr nga kjo çështje duke paraqitur raporte mjekësore.

“Masa duhet të ishte zhvilluar më parë, por ishte e pamundur që të gjeje një gjyqtar që ta jepte këtë masë. Çështja u zhvendos në Tiranë. Ky është skandal, 7 gjyqtarë, kanë refuzuar, duke paraqitur raport mjekësor, që të mos e kalonin këtë masë sigurie.”

Sipas informacioneve të gazetarit, gjyqtarët që janë tërhequr nga kjo çështje janë: Tomorr Kullolli, Bujar Musta, Taulant Tafa, Ramazan Avdia, Idush Maliqi, Matilda Fetahu dhe Miranda Konica.

Sipas gazetarit, veprimi i gjyqtares Fetahu sot ishte i guximshëm, duke marrë parasysh që shtatë kolegë të saj me një karrierë goxha të gjatë janë tërhequr. Gjithashtu, Artan Hoxha theksoi se fakti që gjykata e gjykoi si të drejtë masën e arrestit me burg, do të thotë që alibia për probleme shëndetësore të Çapjas nuk qëndron./ abcnews/