E lyer me graso dhe e mbështjellë me natriban, si u gjet kokaina në kontejnerin me banane

Të tjera detaje dalin në dritë në lidhje me operacionin në portin e Durrësit, ku u sekuestruan 49 kg kokainë dhe u arrestua babai i Arbër Çekajt, Selim Çekaj. Siç raporton  ‘Balkanweb’ droga, e cila ishte futur në një kontejner me banane që vinte nga Ekuadori, ishte e ndarë në 37 pako.

Mësohet se këto pako (rreth 1.3 kg secila) nuk kishin asnjë shenjë dalluese, ndërsa ishin mbledhur me natriban në formë katrore dhe drejtkëndore dhe ishin lyer me graso. Po ashtu Bezat raporton se kokaina ishte fshehur në 2 këmbët e kontenierit me mbyllje të posaçme metalike.

Të gjitha kontenieret që vijnë nga Amerika Latine konsiderohen me risk, ndaj edhe kalojnë në kontroll të detajuar në skaner dhe me qen antidroge të cilët e identifikuan ngarkesën. Mes të tjerash bëhet me dije se kontejneri me banane u kalua në vijën e dytë e më pas u bë ndërhyrja. Ky kontenier ishte nisur nga porti i Guayaquil-it në Ekuador dhe ndalesën e kishte bërë në Turqi në portin e Mersin dhe më pas në Durrës.