Lëvizja Vetëvendosje cakton kreun e grupit parlamentar

Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje do të drejtohet nga Mimoza Kusari-Lila.

Sipas njoftimit të LVV-së, Kusari-Lila në mbledhjen e grupit parlamentar të mbajtur sot u votua për ta ushtruar këtë detyrë deri në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm.

“Nga 51 deputetë të pranishëm, me 45 vota pro Kusari-Lila u votua për drejtimin e grupit parlamentar”, thuhet në njoftim.

“Mimoza Kusari-Lila është deputetja që sidomos në legjislaturën e fundit ka treguar përkushtim dhe përgjegjësi të lartë në adresimin e çështjeve të rëndësishme për ne dhe për vendin”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje për mediat.