OBSH për SYRI TV: Kemi shumë pak të dhëna për vaksinën kineze

Megjithëse vaksina e prodhuesit kinez, Sinovac BioNTech, po përdoret nga qeveria e kryeministrit Edi Rama për të vaksinuar personat mbi 70 vjeç, ekspertët e OBSH nuk japin asnjë garanci rreth efikasitetit dhe sigurisë së kësaj vaksine për grupmoshat mbi 60 vjeç. Gjatë takimit virtual me Panelin Këshillues të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Syri Televizion ka pyetur ekspertët nëse kjo vaksinë paraqet rrezik për moshat e treta. Ekspertët thanë se Grupi Strategjik Këshillëdhënës i Ekspertëve për Imunizimin nuk ka dhënë ende një rekomandim për vaksinën e Coronavac

Ekspertët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë kanë shumë pak të dhëna në dispozicion rreth efikasitetit dhe sigurisë së vaksinë kineze, Coronavac.

Gjatë takimit virtual të kësaj të mërkure me Panelin Këshillues të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, gazetarja e Syri Televizion, Mariela Shkurta ka pyetur ekspertët rreth të dhënave që ata kanë rreth vaksinës kineze dhe nëse kjo vaksinë paraqet rrezik për moshat e treta. Drejtuesja e Departamentit të Imunizimit në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, Kate O’brain tha se Grupi Strategjik Këshillëdhënës i Ekspertëve për Imunizimin nuk ka rekomandim.

“Grupit Strategjik Këshillëdhënës i Ekspertëve për Imunizimin nuk ka dhënë ende një rekomandim për vaksinën e Coronavac. Kemi pasur një takim informues ku kemi shqyrtuar provat rreth Coronavac si nga provat për imunizimin ashtu edhe për efikasitetin. Grupi i punës vijon të mbledh prova dhe do t’i prezantojë këto të dhëna pranë Grupit Strategjik Këshillëdhënës i Ekspertëve për Imunizimin i cili do të nxjerr më pas rekomandime. Megjithatë, në këtë pikë nuk mund të komentojmë rreth rekomandimeve specifike pasi Grupi Strategjik Këshillëdhënës i Ekspertëve për Imunizimin nuk ka arritur ende në atë fazë të shqyrtimit të provave”.

Kurse doktor Alehandro Kavioto e vuri theksin te mungesa e të dhënave nga vaksina Sinovac për grupmoshat e treta.

“Ne jemi në dijeni se të dhënat për personat mbi 60 vjeç janë të limituara. Ne gjithashtu jemi në dijeni se vaksina po përdoret në disa vende të botës dhe po shohim nëse këto vende që kanë përdorur vaksinën, kanë siguruar të dhëna rreth efikasitetit në popullatën e moshuar. Pra jemi në proces të mbledhjes të të dhënave, por ende nuk kemi dalë me një rekomandim, por mund të themi që është e sigurt për të gjitha grupmoshat”.

Shqipëria ka marrë më shumë se 190 mijë doza të Coronavac dhe pritet që brenda javëve në vijim të marrë edhe 500 mijë doza të tjera. Me dozat e para janë vaksinuar masivisht personat mbi 70 vjeç, ndërsa procesi i vaksinimit pritet të vijojë edhe për grupmoshat nën 60 vjeç.