Punonjësi serb ‘vjedh’ shiritin e Ronaldos, del në ankand për të shëruar një fëmijë

Cristiano Ronaldo ishte shumë nervoz në minutat e fundit të ndeshjes kundër Serbisë, kur gjyqtari nuk i pranoi golin edhe pse topi kishte kaluar vijën fatale.

Në shenjë proteste, sulmuesi i Juventusit e hoqi shiritin e kapitenit dhe e përplasi në tokë. Një punëtor i stadiumit e mori shiritin e lënë në tokë nga Ronaldo dhe ia dhuroi një organizate për fëmijë, e cila po kërkonte fonde për një foshnjë serbe 6-muajshe, Gavril Durdevic, me atrofi muskulore kurrizore.

Për trajtimin dhe operimin e saj duhen 2.5 milionë euro. Kjo organizatë e ka vënë shiritin në ankand për tri ditë dhe gazeta serbe "Telegraf" ka raportuar se në orët e para ajo tashmë ishte bërë një rekord kombëtar për sa i përket ankandit të pajisjeve sportive dhe nuk duket se do të ketë probleme për të arritur shifrën që ka nevojë për Gavrilin.