Pasi kërcënoi me vaksinën, Rama 'ndryshon' historinë: 'Vizat' dhe 'NATO' nuk ndodhën me qeverinë e PD

Kryeministri Edi Rama, sa më shumë afron dita e votimit, 25 prilli, aq më tepër ka rritur dozat e një fushate negativiste, mohuese e madje edhe shantazhuese e kërcënuese ndaj votuesve shqiptarëve.

Kështu dje nga Lezha, pasi përhapi lajme paniku deri në terror duke kërcënuar shqiptarët se nëse votojnë opozitën, nuk do të ketë më vaksina, ai arriti deri aty sa tentoi të ndryshojë historinë e afërt të Shqipërisë, vetëm e vetëm për të mohuar arritjet e Partisë Demokratike kur ka qenë në qeverisje përpara tij.

Rama ka deklaruar me plotë gojë se vizat për Shqiptarët dhe anëtarësimi në NATO, nuk u bënë nga qeverisja e PD-së me kryeminstër Sali Berishën!

“U ka ngelur kënga që liberalizuar vizat dhe futën Shqipërinë në NATO, por nuk është kështu. Këto ishin një proces shumë i gjatë, dhe këta bënë një pjesë të punës. E vetmja gjë që mund të thuhet që e kanë bërë është Rruga e Kombit, por dhe atë e lanë rrugëve", arriti të deklarojë Rama dje nga Lezha.