Sa kohë do të duhet për të vaksinuar gjithë botën kundër Covid-19?

Sa vaksina mund të prodhojë bota këtë vit?

Industria farmaceutike, e përbashkët me shumë sektorë industrialë, nuk e tregon kapacitetin e saj të prodhimit, thotë Rasmus Hansen, shefi ekzekutiv i “Airfinity”, një kompani analitike me bazë në Londër që përpilon të dhënat mbi këtë industrinë. Por ai parashikon që rritja e vaksinave, ka të ngjarë të jetë “eksponenciale” gjatë muajve të ardhshëm.

Sipas të dhënave të “Airfinity”, rreth 413 milion doza vaksinash anti–Covid-19 ishin prodhuar deri në fillim të këtij muaji. Kompania parashikon që kjo shifër të arrijë në 9.5 miliardë doza në fund të këtij viti.

A mund të punojnë kompanitë së bashku, për t’i prodhuar më shpejt vaksinat?

Ato po e bëjnë tashmë këtë gjë. Kështu kompania “Merck”, me seli në Nju Xhersi po prodhon vaksina për rivalen e saj “Johnson & Johnson”. Dy kompani të tjetëra të madhe GSK me qendër në Londër dhe Novartis në Bazel të Zvicrës, janë duke prodhuar përkatësisht 100 milion dhe 250 milion doza të vaksinës për llogari të kompanisë “Curevac”, me qendër në Tybingen të Gjermanisë.

Një shkallë e tillë e bashkëpunimit midis korporatave shumëkombëshe është e pashembullt.

Përveç kësaj, janë nënshkruar shumë marrëveshje të tjera. Për shembull, francezja “Sanofi”, me seli në Paris, ka një kontratë me kompaninë “BioNTech” me seli në Mainc të Gjermanisë,për të prodhuar në një fazë më të vonë 125 milion doza të vaksinës Pfizer – BioNTech.

Ndërkohë ”Sanofi”, ka një kontratë për të paketuar miliona doza të kësaj vaksine.

Pse bota nuk po prodhon më shumë vaksina?

Ekzistojnë 3 tipe kryesore të vaksinës anti–Covid: ajo me vektorin viral; virusin e plotë; dhe ARN mesazhere (ARN). Vaksinat e ARN-së, përbëhen nga fijet e materialit gjenetik që kodifikojnë një proteinë të virusit, që shkakton një përgjigje imune.

Prodhimi në masë i  vaksinave të ARN-së është i ndërlikuar, thotë Zoltan Kis, inxhinier kimik në “Future Vaccine Manufacturing Hub” në Kolegjin Mbretëror të Londrës. Sipas tij, kjo teknologji nuk ishte përdorur asnjëherë më parë tek vaksinat, ndaj ka një mungesë të personelit të trajnuar.

Por pengesa kryesore në prodhimin më të madh të vaksinave mRNA, është mungesambarëbotërore e përbërësve thelbësorë, veçanërisht nukleotideve, enzimave dhe lipideve.

Kjo pasi ka relativisht pak kompani që i prodhojnë këto produkte, dhe jo në numër të mjaftueshëm për furnizim global. Për më tepër, këto kompani po tregohen shumë të ngadalta në licencimin e prodhimit të tyre, në mënyrë që këtë gjë ta bëjnë edhe të tjerët.

Deri në çfarë mase po e ngadalëson qasjen në vaksinat anti–Covid mbrojtja e pronësisë intelektuale?

Duke supozuar se duhen 2 doza për çdo njeri, atëherë nevojiten rreth 11 miliardë doza për të vaksinuar 70 për qind të popullsisë së botës. Ky është numri që mund të jetë i nevojshëm për të arritur imunitetin e tufës.

Deri tani vendet me të ardhura të larta dhe të mesme, që përfaqësojnë një të pestën e popullsisë së botës, kanë blerë rreth 6 miliardë doza. Ndërkohë vendet me të ardhura të ulëta, që përfaqësojnë katër të pestat e popullsisë, kanë siguruar vetëm rreth 2.6 miliardë. Me ritme të tilla, këto të fundit mund të vaksinohen pas 2 ose më shumë vitesh./Nga Aisling Irwin – Marrë me shkurtime nga Nature – Bota.al/