KQZ heq emrin e Bashkim Finos nga lista, por vendi mbetet bosh

Bashkim Fino, i cili ndërroi jetë dy ditë më parë, ishte edhe kandidat i Partsë Socialiste për qarkun e Fierit, i renditur në një vend të sigurt në këtë listë, i katërti.

Pas ceremonisë dhe përcjelljes së tij, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ndërkohë e ka hequr emrin e socialistit Bashkim Fino nga lista e kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste për zgjedhjet e 25 prillit 2021.

Ish-kryeministër i Pajtimit Kombëtar, Bashkim Fino ndërroi jetë dy ditë më parë, në moshën 59-vjeçare pasi nuk e fitoi dot betejën me virusin Covid-19. 

Kodi Zgjedhor nuk lejon ndryshimin e listave të kandidatëve për deputetë pas regjistrimit të tyre, ndaj krye-komisioneri Ilirjan Celibashi ka vendosur të heqë emrin e Finos nga lista, përkatësisht numri 4 në qarkun e Fierit, por ky vend nuk zëvendësohet me një emër tjetër.

Vendi i Finos në listë do të mbetet bosh dhe renditja e kandidatëve të tjetër nuk do të ndryshojë. Në rast se një votues shënon votën e tij në numrin 4 (Bashkim Fino), atëherë vota do të quhet e pavlefshme.