Alarmi për ikjen e 'trurit'/ Meta: Koha për të ndalur shpopullimin!

Largimi në masë i të arsimuarve nga Shqipëria është evidentuar në raportin më të fundit të Institutit për Studime Ekonomike Ndërkombëtare të Vjenës si më i madhi në vendet e Ballkanit perëndimor.

Këtë shqetësim e ka ngritur me forcë edhe Presidenti i Republikës Ilir Meta, duke iu referuar këtij raporti. Meta shkroi sot në Fb, në një thirrje drejtuar jo vetëm qeverisë, forcave politike të përfshira në garën zgjedhore, por edhe popullit që do të paraqitet në kutitë e votimit më 25 prill. Presidenti shkroi në Fb:

“Largimi i trurit dhe i rinisë është një plagë e madhe për vendin. Një tjetër institucion prestigjoz, Instituti për Studime Ekonomike Ndërkombëtare i Vjenës, bën me dije se fenomeni i shpopullimit në Shqipëri, gjatë viteve të fundit është përkeqësuar sidomos me largimin e grupmoshave 20-24 vjeç. Studimi vëren se nga 105 mijë qytetarë që ikin nga Shqipëria, 40,700 persona janë të arsimuar ose 40 për qind e totalit.

Largimi i trurit dhe i forcave të reja dhe më krijuese të shoqërisë duhet ndalur sa më parë. Të rinjve tanë u duhen ofruar më shumë shpresë, alternativa edukimi dhe punësimi, ndërsa të arsimuarve më shumë shanse të barabarta, vlerësim meritokracie dhe vende pune, ku të shfaqin talentin dhe potencialin e tyre intelektual. Shqipëria ka nevojë për “brain gain” dhe jo “brain drain”! Koha për të ndalur shpopullimin është tani!”