Gjermania pezullon AstraZeneca për moshat nën 60 vjeç: Ndër 2,7 mln të vaksinuar, 31 mpiksje gjaku

Gjermania po e pezullon përdorimin rutinë të vaksinës së Oxford, AstraZeneca, për moshat nën 60 vjeç për shkak të rrezikut të mpiksjes së rrallë të gjakut. 

Njerëzit nën 60 vjeç mund të bëjnë vaksinën, por vetëm "sipas gjykimit të mjekëve dhe sipas analizës individuale të rrezikut dhe shpjegimit të plotë", thuhet në një dokument të parë nga agjencia e lajmeve DPA.

Enti rregullator gjerman i barnave hasi 31 raste të një lloji të mpiksjes së rrallë të gjakut midis 2,7 milionë njerëzve që kishin bërë këtë vaksinë në Gjermani.

Ishte Kanadaja më parë që e pezulloi përdorimin e vaksinës AstraZeneca tek njerëzit nën 55 vjeç.

AstraZeneca tha se rregullatorët ndërkombëtarë kishin konstatuar se përfitimet  nga vaksina kishin qënë më të mëdha se rreziqet.

Kompania farmaceutike tha se po vazhdonte të analizonte bazën e të dhënave për të kuptuar "nëse këto raste shumë të rralla të mpiksjes së gjakut të shoqëruara me trombocitopeni po ndodhin më shpesh sesa pritej natyrshëm në një popullsi prej miliona njerëzish".

"Ne do të vazhdojmë të punojmë me autoritetet gjermane për t’i dhënë përgjigje çdo pyetjeje që ata mund të kenë," shtoi ai.

Entet rregullatore të mjekësisë të BE dhe Mbretërisë së Bashkuar e mbështetën vaksinën pas pezullimeve të mëparshme paralajmëruese në Evropë këtë muaj.

Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) dhe Agjencia Rregullatore e Barnave dhe Shëndetit e Britanisë së Madhe theksuan se përfitimet e vaksinës AstraZeneca vazhduan të tejkalojnë rrezikun e efekteve anësore.

Në Mbretërinë e Bashkuar, një zëdhënës i qeverisë tha: "Vaksina e Oxford, AstraZeneca, është e sigurt, efektive dhe tashmë ka shpëtuar mijëra jetë në këtë vend. Siç ka thënë rregullatori i pavarur i Mbretërisë së Bashkuar, kur njerëzit njoftohen, duhet të bëjnë vaksinën.

"Mbi 30 milion njerëz kanë marrë tashmë dozën e tyre të parë të një vaksine dhe ne jemi në rrugën e duhur për të ofruar vaksina për të gjithë të moshuarit mbi 50 vjeç deri në 15 prill dhe të gjithë të rriturit deri në fund të korrikut."

Produkti i AstraZeneca është një nga vaksinat më të përdorura të koronavirusit në perëndim dhe ka për qëllim të furnizojë mbi një bazë jofitimprurëse, vendet në zhvillim.

Përhapja në BE dhe programit evropian i vaksinimit është shoqëruar nga vonesat për shkak të problemeve të shpërndarjes dhe prodhimit dhe Gjermania është midis disa shteteve që tani kanë frikë nga një valë e tretë e infeksioneve.

Të martën, Kryeministri italian Mario Draghi dhe gruaja e tij, të cilët janë të dy nga 73 vjeç, bënë  dozat e tyre të para të AstraZeneca për të treguar publikisht besimin tek vaksina.