Nis vaksinimi i personelit në Klinikën Infektive të Kosovës

Prishtinë - Në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ka filluar vaksinimi i punëtorëve shëndetësorë.

Duke folur për rolin dhe rëndësinë e vaksinimit, Valbon Krasniqi, drejtor i përgjithshëm i ShSKUK-së, theksoi se sot është një ditë e mbarë për Kosovën, e cila po i bashkëngjitet vendeve të tjera në luftën kundër COVID.

“Së pari, do të vaksinohen punëtorët shëndetësorë, të cilët janë në vijën e parë të frontit. Sot edhe nesër do të ketë vaksinim të punëtorëve në Klinikën Infektive, pastaj, sipas planit të IKSHPK-së, vaksinimi do të vazhdojë me klinikat tjera COVID, si në në Pulmologji, COVID2, COVID 3, si dhe Klinika e Anesteziologjisë”, theksoi ai.

Dr. Krasniqi u bëri thirrje qytetarëve që të respektojnë masat anti-COVID, sepse virusi është ende prezent. Sipas tij, ShSKUK vazhdon të mbetet e mbingarkuar me mbi 900 pacientë që po kërkojnë ndihmë në klinikat COVID dhe spitalet e përgjithshme, ku 37 prej tyre janë në gjendje të rëndë shëndetësore dhe mbi 700 me oksigjen-terapi.

Edita Haxhiu, shefe e imunizimit në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, tha se, bazuar në planin shtetëror të imunizimit, po vazhdohet me vaksinim të stafit në Klinikën Infektive.

“Sipas planit, janë 3 faza të vaksinimit, ku parashihet që deri në fund të vitit të vaksinohen 70% e popullatës, varësisht nga vaksinat që sigurojmë”, u shpreh ajo.

Për rëndësinë e vaksinimit të stafit të Klinikës Infektive, foli edhe Izet Sadiku, u.d. drejtor i Klinikës Infektive, i cili ditën e sotme e quajti ditë historike.