Hoxha: Pse Kim pasi dështoi me Ramën, po i kërkon ndihmë popullit?

“Mos ia dorëzoni fuqinë tuaj kriminelëve. Vetëm ju, duhet të zgjidhni të ardhmen tuaj”.

Kjo ishte thirrja e përsëritur e diplomates amerikane në vendin tonë Yuri Kim për zgjedhjet e 25 prillit, teksa deklaroi, se do të jetë edhe vetë në terren për të monitoruar nga afër procesin ditën e zgjedhjeve.

Gazetari Poli Hoxha e lexon si një “dorëzim” të ambasadores, pasi thirrja e saj drejtuar krerëve të partive për lista të pastra ra në vesh të shurdhër dhe nuk u pranua nga Edi Rama, i cili deklaroi se secili mban përgjegjësi individuale.

I ftuar në Rtv Ora në një bisedë me gazetaren Beti Njuma, ai tha se mënyra si është ngatërruar krimi në listat e kandidatëve është shumë e sofistikuar dhe nuk mundet populli në gjithë atë thes të arrijë të ndajë krundet nga mielli.

“Ambasadorja në fillim u drejtohej partive, tani popullit. Ua ka bërë të qartë kryetarëve se do të mbajnë përgjegjësi personale. Ditën e sotme ajo mori spunto nga një njoftim i kreut të KQZ, Celibashi. Duket një farë dorëzimi, sikur nuk është dëgjuar dhe aq shumë nga partitë. Mënyra si është ngatërruar krimi në lista është shumë e sofistikuar dhe nuk mundet populli në gjithë atë thes të arrijë të ndajë krundet nga mielli sepse disa personazhe në këto lista janë dhe të kamufluar. Në çdo qytete të thonë ky është i filan grupi, ky mbulohet nga filani, ky mbështetet nga ky. Mund të jenë emra të pastër me letra, por po mbështeten nga krimi. Ambasadorja nuk arriti të triumfojë, as me emrat e përveçëm që përmendi”, komentoi Hoxha.

Ai gjithashtu paralajmëron tjetërsim të votës edhe në këto zgjedhje, teksa tregon mënyrat sesi është sofistikuar ky proces që në gjykimin e tij ka nisur me kohë dhe vijon dhe sot që flasim.

“Nuk mund të shpresojmë pas 30 vitesh tjetërsim dhe zhvleftësim, është krijuar një ambient ku nuk ka vlerë vota te ai që e posedon, te qytetari. Patjetër që do të ketë tjetërsim. Ka filluar ky lloj tjetërsimi. Mënyra tradicionale që jemi mësuar ka qenë ditën e  zgjedhjeve, te kutitë e votimit, komisionierët që kanë bërë pazar, të fortët që kanë bërë presion, marrja e kartave të identitetit për ata që nuk duhet të votojnë. Tani fillon blerja e votës që brenda në familje, në shtratin bashkëshortor, te shkolla e fëmijës, biznesi i vogël. Blerje është edhe mënyra, se si po bëhet fushata e vaksinimit.  

Vetëm për një periudhë 6 mujore është shtuar administrata me 30 mijë persona, një pushtet lokal i tej-fryrë. Ka dhe një presion të jashtëzakonshëm në kuptimin e mirë për falje gjobash nga tatimorët, sidomos biznesit të vogël. Ka filluar pagesa e listave të dyqaneve. Të gjitha këto mund të mos i quajmë vjedhje, por është e sigurt që çojnë në shtrembërim të vullnetit të votës.

Shikoj një mefshtësi në këtë drejtim, këtë radhë opozitës nuk do t’ia pranojnë më ankimin; na vodhën votat. Paloka ka thënë se kemi një plan për këtë çështje, por ende nuk po e shikojmë. Vetëm Presidenti ka hapur një platformë online. Opozita duhet me patjetër të bëjë një monitorim të rreptë, unë e di që po i kapën do ti kapin pak televizione. Tjetërsimi i votës është bërë më i sofistikuar. Shumëkujt i duket që meqenëse ekziston rrota, do të ndodhë dhe rrotacioni. Jo rrota duhet shtyrë dhe fort madje, sepse është një betejë vendimtare”, argumentoi gazetari Hoxha

Në intervistë gjithashtu u diskutua edhe për trafikun rrugor katastrofal në kryeqytet, veçanërisht këto ditët fushate. 

“E di çfarë po mendoja duke ardhur këtu, pas një ore e gjysëm udhëtim Tiranë-Tiranë? Nga zona e Astirit deri këtu po mendoja sikur të kishim një makine kohe dhe të sillnim në Tiranën e sotme Dante Alligerin sigurisht që do të hapte një rreth plus ku do fuste Tiranën me trafikun. Një stres, një panik makinash nëpër rrugë, policë që përpëliteshin për ta zgjidhur, betoniere që kalonin në gjithëfarë rrugësh…Madje sot, kur po lëvizja gjatë ditës, edhe për kalimtarët ishte bërë e vështirë. Pse papritur gjithë ky trafik?! Në çdo qoshe janë hapur punimet, në çdo rrugë. Shoferi juaj që më solli këtu tha se kishim një rrugë të shkurtër, por sot e hapën. Ka nisur asfalti elektoral”, tha Poli Hoxha.