‘O vëllai im, o heroi im që ike, tani që trupi yt u gjet erdhi momenti ...’

Ka marrë fund agonia që zgjati tri ditë në familjen e Arjan Salës në Tiranë, në pritje të nxjerrjes së trupit të të birit, vëllait, bashkëshkëshortit, babait me gjetjen e trupit të rojes së sigurisë së qëndrës tregtare Casa Italia brenda magazinës së djegur.

Vëllai i viktimës, Edmond Sala, ka lajmëruar me një britmë dhimbjeje të dashurit e tij nëpërmjet rrjeteve sociale, pas lotëve që kanë derdhur tre ditë me radhë me shpresat në shuarje njesoj si zjarri për ta gjetur gjallë Arjanin.

“Po më digjet zemra o vëllai im që akoma s’të kanë nxjerrë nga rrënojat e vatrës së zjarrit, - shkroi mëngjesin e së shtunës Edmond Sala.-  “Oooo Zoooot, çfarë më ke bërë o Zooot, çfarë më ke bërë kaq të ri. Më le vetëm dhe në fund ti dole hero! Në zemrën time do të jesh gjersa të vdes edhe kur të vdes do të iki me mendje tek ti! Më ike, më le vetëm para kohe!

Pas disa orësh kërkime nën rrënoja trupi yt u gjet! Tani erdhi momenti për të të thënë o vëllai im, o vëllai im, o heroi im, o heroi im që më ike në lule të rinisë, qofsh i xhenetit! Të qoftë dheu i lehtë. Ooooo Zoooot, çfarë plage më ke shkaktuar, ooo Zot!”