Kryemadhi: Kryebanditi i Elbasanit është prokurori Kreshnik Ajazi

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi duke folur në emisionin ‘Të Paekspozuarit’ në MCNTV ka hedhur akuza të forta ndaj kryeprokurorit të Elbasanit, Kreshnik Ajazi.

Ajazi është vëllai i kandidatit të PS-së në këtë qark, Besian Ajazi, i cili më herët ka qenë dhe sekretari personal i Taulant Ballës.

Pjesë nga deklarata e kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi:

Unë kam bërë fushatë edhe në 2017-n dhe po bëj fushatë edhe tani në 2021-n dhe mund të them që banditi më i madh në qytetin e Elbasanit është kryeprokurori i Elbasanit, Kreshnik Ajazi, i cili është ai që kërcënon banditët dhe i përdor që të mbledhë vota për vëllain e vet, të cilin e ka kandidat për deputet, të tretin në listën e Elbasanit.

Është ai që ka shtypur një grua në gjendje të dehur në Vlorë dhe ka fshehur dokumentet. Është ai që i është dënuar dhe i kërkohet dënim për të atin, për falsifikim dokumentesh dhe intimidon kolegët e tij prokurorë në Fier. Ky është krye banditi, sepse po të kesh Prokurori dhe Polici, nuk ke banda në qytet ti.

Ku ke parë një njeri që nuk ka bukë të hajë në shtëpi, s’ka ilaçe për prindërit që të mos bëhet bandit, kur shikon se si një kryeprokuror të përdor ty si një vegël për të kërcënuar një kundërshtar të vetin politik.

Pra, ne e dimë shumë mirë që po të ketë Prokurori dhe Polici, nuk ka banda. Ky zotëri ka edhe konflikt interesi, sepse duke qenë kryeprokuror i Elbasanit ushtron presion mbi institucionet, mbi bizneset për të marrë vota për vëllain e tij.

Ti kryebanditin e ke aty, zinxhirin e ke të mbyllur. Unë nuk merrem me spaçatorë, unë merrem me kokën. Spaçatorët ikin e vijnë, shkojnë i ofrohen paguesit të radhës. Preja kokën dhe mbaron puna.