Viola Von Cramon; BE të mbajë premtimin për liberalizimin e vizave për Kosovën

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon ka deklaruar sot se Këshilli i Bashkimit Evropian duhet që të liberalizojë vizat për qytetarët e Kosovës sa më shpejtë që është e mundur.

Në debatin e zhvilluar mbi raportin e progresit për Kosovën, Shqipërinë, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, eurodeputetja Von Cramon tha se pavarësisht se qytetarët e Kosovës e favorizojnë Bashkimin Evropian jashtëzakonisht shumë, ky fakt nuk duhet të merret si i mirëqenë përgjithmonë nëse BE-ja nuk përmbushë detyrimet, prandaj është koha e fundit që Këshilli i Bashkimit Evropian të liberalizojë vizat për kosovarët.

“Njerëzit në Kosovë më impresionojnë me dëshirën e tyre për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian në fakt asnjë shtet në rajon nuk shfaq qëndrim më të fortë për BE-në sesa Kosova por ky fakt nuk mund të merret përgjithmonë si i mirëqenë nëse nuk përmbushim detyrimet tona, ne humbim kredibilitetin tonë dhe besimin, është koha e fundit që Këshilli i BE-së për të dhënë premtimin e tij për  liberalizimin e vizave për Kosovën, unë ndaj frustrimin e qytetarëve të Kosovës, unë do të dëshiroja që Parlamenti Evropian do të mund të vendoste për këtë çështje”, tha Cramon.

Përpos çështjes së vizave, eurodeputetja shprehu shqetësimin e saj edhe për mos-furnizimin e Kosovës me vaksinën antiCOVID.

“Një tjetër çështje është mosfurnizimi i Kosovës me vaksinat COVID-19, kapaciteti i prodhimit në BE po rritet dhe kjo duhet të shfrytëzohet që të furnizohet edhe Kosova sa më parë që është e mundur BE-ja duhet të përkrahë vaksinimin e shpejt të personelit mjekësor dhe grupeve tjera më të ndjeshme”, tha ajo.

Viola Von Cramon foli edhe për nevojën e zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës, kurse sa i përket dialogut me Serbinë, tha se Kosova nuk duhet ta braktisë atë, por duhet ta vazhdojë.

“Kuvendi i ri duhet të gjejë gjuhën e përbashkët dhe të zgjedhë presidentin e ri. Sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, qeveria e re të vazhdojë dialogu, pavarësisht vështirësive Kosova duhet që të punojë me BE-në rreth dialogut dhe mos ta braktisë atë. Njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë është parakusht që dy vendet të anëtarësohen në BE”, tha Von Cramon.