Vaksina ruse/ Rama ‘qep’ gojën, komisionari i BE: S’na duhet

Kryeministri Edi Rama dhe ministrja Ogerta Manastirliu kanë mbërritur në Universitetin Politeknik, ku ka nisur vaksinimi i pedagogëve.

Manastirliu zbuloi se kush do të marrë vaksinën ruse Sputnik, e cila u ironizua në fillim nga kryeministri Edi Rama, dhe dje u pranua si një dhuratë nga arabët.

Pa e zënë në gojë origjinën ruse, Manastirliu tha se me dozat që mbërritën si dhuratë do të vaksinohen të moshuarit mbi 80 vjeç. Ndërkohë që Rama siç ndodh rrallë, ishte fjalëpak gjatë kësaj vizite të montuar me kujdes, ku nuk tha asnjë fjalë lidhur me vaksinën Sputnik.

Rusia ishte shteti i parë që u ofrua të ndihmonte me vaksinë Shqipërinë, ndihmë e cila u refuzua me përbuzje nga Rama, i cili e quajti reagimin e ambasadës një ”meme të denjë për Portokallinë”.

Ndërkohë, Komisioneri i Bashkimit Europian, Thierry Breton deklaroi se nuk kanë aspak nevojë për vaksinën ruse. “Nuk kemi nevojë në mënyrë absolute për vaksinën ruse,” tha ai, duke shtuar se kontinenti do arrijë imunitetin e tufës në korrik.

Ekspertët thonë se presidenti rus, Vladimir Putin po e përdor këtë vaksinë për të shtuar ndikimin e tij në vendet e tjera.

Vaksina ruse nuk ka marrë miratimin nga BE, ndërsa ka provokuar një krizë të fortë qeveritare në Sllovaki.

Kjo për shkak të një vendimi sekret për të blerë vaksina ruse. Vendimi rrezikon të sjellë rrëzimin e qeverisë për shkak se ajo akuzohet se po tradhton interesat e Perëndimit.