VIDEO/ Kosovë, Hoti i dorëzon detyrën Kryeministrit të ri, Albin Kurtit

Në Kosovë ka nisur ceremonia zyrtare e dorëzimit të detyrës nga Avdulla Hoti tek Kryeministri i ri Albin Kurti.

Hoti mbrëmjen e së hënës tha se ka përgatitur dosjen e plotë me informacionet për punët e kryera gjatë qeverisjes së tij.

“Kryeministrit të ri do t’ia dorëzojë informatat e plota për procesin e integrimit evropian, për nivelin e zbatimit të MSA-së, për programet IPA që i kemi zhvilluar, për diskutimet që i kemi bërë veç e veç me vendet e Bashkimit Evropian në procesin e liberalizimit të vizave. Do t’i dorëzoj informatat e plota për procesin e dialogut, si është zhvilluar deri më tash, përgatitjet që janë bërë, ekspertët që kanë qenë të angazhuar, dakordimet e miqve tanë ndërkombëtarë. Do t’i dorëzoj informatat për marrëveshjen e Uashingtonit”, u shpreh Hoti.

Deputetët e legjislaturës së tetë të Kuvendi të Kosovës, dje me 67 vota pro dhe 30 vota kundër e asnjë abstenim, zgjodhën Qeverinë e re të drejtuar Albin Kurti.