Moti i keq në Kosovë, Challandes anulon stërvitjen e ‘Dardanëve’

Grumbullimi i Përfaqësueses së Kosovës ka nisur me telashe, kryesisht për shkak të motit të keq dhe reshjeve të shumta të dëborës, që kanë zbardhur vendin.

Një pjesë e mirë e futbollistëve nuk kanë arritur të shkojnë në kohë në Prishtinë për grumbullimin, për shkak të kushteve atmosferike, ndërsa trajneri Bernard Challandes ka vendosur edhe anulimin e seancës së djeshme stërvitore.

Stërvitja e parë e “Dardanëve” është njoftuar se do të zhvillohet sot në orën 16:00, ndërsa në përfundim të saj do të vijë edhe konferenca zyrtare për shtyp në prag të miqësores me Lituaninë, e planifikuar për të mërkurën në orën 20:45.

Vlen të theksohet se reshjet e dëborës në Kosovë vijojnë të bien me intensitet të lartë dhe se situata klimatike pritet të jetë e njëjtë edhe sot e nesër, por shpresohet që të mos ketë probleme në organizimin e ndeshjes me Lituaninë.