Zgjedhjet – Si po punësohen mijëra persona në administratë

Nga 1 janari vetëm në sektorin e tatimeve janë punësuar rreth 370 inspektorë të rinj, ndërsa 100 të tjerë në dogana, të gjithë me kontrata të përkohshme. Në Shëndetësi janë rekrutuar rreth 844 persona, nga të cilët vetëm 10 mjekë dhe 20 infermierë për pandeminë. Me një vendim qeverie të datës 24 dhjetor 2020, vetëm në administratën qendrore që nga fillimi i vitit, numri është shtuar me 2500 persona në të gjithë sektorët. Rritje të madhe artificiale të të punësuarve po shënon dhe pushteti lokal, që në këto kohë pandemie ka një faturë jo të vogël për taksapaguesit.

Është bërë e modës tashmë që në prag zgjedhjesh elektorale, të ketë një fryrje artificiale në administratën publike, sidomos të atyre me kontratë të përkohshme. Presidenti i Republikës, Ilir Meta dha alarmin dy ditë më parë, se numri i të punësuarve në administratën shtetërore ka arritur në 182 500 persona, më i larti që prej vitit 2005. Vetëm në tremujorin e parë, sipas Presidentit janë shtuar rreth 10 mijë persona, krahasuar me tremujorin paraardhës.

Tatime – dogana

Një ditë para se të hynte në fuqi ligji që ndalonte punësimet në administratë në prag zgjedhjesh, më datë 24 dhjetor 2020, qeveria miratoi një vendim për punësimin me kontratë të 2 472 personave, në të gjithë sektorët e administratës. Në fakt ky vendim, nuk është pasqyruar në mbledhjen e datës 24 dhjetor dhe duhet theksuar se shumë vendime të botuara në Fletoren Zyrtare mbajnë këtë datë, por që nuk rezultojnë në të dhënat e publikuara nga qeveria për atë mbledhje. Për sa u përket punësimeve, vihet re një numër i pazakontë shtesash të punonjësve në tatime dhe dogana.

Duhet theksuar se, viti 2020 dhe viti në vazhdim 2021 kanë qenë vite ku importet, ashtu si dhe qarkullimi i të ardhurave kanë pasur një rënie të madhe. Por qeveria nuk shpjegon se për çfarë i duhen 328 inspektorë tatimesh, për gjashtë muaj vetëm në Tiranë dhe 40 të tjerë nëpër rrethe. Ndërkohë në Doganën e Tiranës janë shtuar dhe 96 punonjës të tjerë me kontratë vjetore dhe 6 orë pune në ditë, ndërsa në doganat rajonale janë punësuar dhe 40 doganierë të tjerë në rrethe. Në total në Ministrinë e Financave janë punësuar 662 persona, dhe pjesa tjetër janë punonjës mirëmbajtjeje, specialistë, në arkiva, 30 sanitarë në drejtorinë e përgjithshme të thesarit e kështu me radhë.

Shëndetësia

Ministria e Shëndetësisë, ka punësuar nga 1 janari 844 persona. Natyrisht, në këto kushte pandemie mund të duket normale, por sipas të dhënave nga këta të punësuar për pandeminë rezultojnë vetëm 30 persona në urgjencën kombëtare. Prej tyre 10 janë mjekë, dhe 20 infermierë. Pjesa më e madhe prej 700 personash rezultojnë të jenë punësuar në drejtoritë rajonale me referimin punonjës shëndetësorë dhe të tjerë.

Nuk ka një database të detajuar në vendimin e qeverisë, se cilat janë drejtoritë rajonale që përfitojnë numër të shtuar mjekësh apo infermierësh dhe kush janë personeli shtesë. Në Ministrinë e Shëndetësisë të bie në sy dhe një numër i madh i punonjësve socialë, apo dhe specialistëve të tjerë në drejtoritë e varësisë, siç mund të jenë azilet, qendrat e kujdesit për gratë apo fëmijët e të tjerë. Një numër i shtuar punonjësish rezulton dhe në Ministrinë e Bujqësisë ku vërehet një numër prej 248 punonjësish. Vetëm veteriner të mesëm, janë regjistruar me një kontratë katërmujore nga janari deri në fund të Prillit 96 të tillë. Kryeministria vetë ka shtuar 85 punonjës, ku 85 prej tyre janë operatorët e propagandës etj. Në fakt një numër i shtuar i operatorëve vihet re në të gjitha dikasteret e administratës.

Pushteti vendor

E megjithatë numri në fjalë prej rreth 2500 punonjësish është vetëm maja e ajsbergut. Burime për MAPO, bëjnë me dije se rekrutimet vazhdojnë në masë sidomos në administratën lokale, ku Rilindja kontrollon 100% të Bashkive dhe Njësive administrative në vend. Një kosto jashtëzakonisht e madhe për taksapaguesit në këto kohë pandemie. Në vitin 2017 militantëve të së majtës iu premtua vendi i sigurt i punës në rast se arrinin të mblidhnin sa më shumë vota.

Por pas marrjes së pushtetit, ata që nuk kishin lidhjet e duhura u pushuan. Në një shkrim të datës 22 gusht 2020, MAPO gjatë një hulumtimi të saj, bën me dije se në periudhën kohore 2017-2020 me anë të kontratave të përkohshme janë rekrutuar 21 mijë persona, nga të cilat 13 mijë në administratën qendrore dhe 8 mijë në administratën vendore. Kryesisht këta persona janë punësuar gjatë fushatave elektorale, dhe janë përdorur më së shumti në sektorin e propagandës për të bërë share dhe komente në Facebook. Përgjithësisht mbulohen si specialistë, operatorë, apo arkivistë por nuk janë gjë tjetër vetëm se rekrutë të fushatës elektorale./MAPO

Kryeministria – 85 persona
Ministria e Bujqësisë 248
Ministria e Infrastrukturës 76
Ministria e Financave 662
Ministria e Arsimit 75
Ministria e Kulturës 72
Ministria e Shëndetësisë 844
Ministria e Jashtme 23
Ministria e Brendshme 66
Ministria e Turizmit 55
Të tjera 266
Gjithsej 2472