Ilir Daja gjen fajtorin: Arbitrat gabojnë gjithmonë kundër Partizanit!

 Trajneri i Partizanit, Ilir Daja, foli pas barazimit pa gola kundër Teutës për “SuperSport”, ku u shpreh:

“Edhe kur ka mbaruar ndeshja në Laç, ku ishin shumë skuadra, jam marrë me arbitrin sepse më keni pyetur dhe jam përgjigjur. Ajo që do të thosha, është se gabojnë të gjithë, edhe arbitrat. Ajo që them unë, është: “Pse nuk gabohet një herë në favorin tonë?” gjithsesi, nuk dua ta ngatërroj ndeshjen me arbitrimin, pasi ka ekspertë në FSHF që e shohin 30 herë dhe sërish i japin të drejtë arbitrave”, tha fillimisht Daja.

BARAZIMI – “Besoj se kemi bërë një pjesë të parë goxha të mirë, kemi ndjerë në disa minuta presionin e Teutës, për vetë faktin që kemi shpenzuar shumë energji në 120 minuta në Kupë. Përveç kësaj, prishëm dhe pak ekuilibrat në mesin e fushës, me spostimet e panevojshme të Bardhit dhe Muratajt. Gjithsesi, ekipi bëri mirë sot dhe provoi gjithçka kundër një rivali të fortë si Teuta dhe si përfundim, kemi dhe një gol të mohuar, siç e thatë dhe ju. Mendoj se jemi në rrugën e duhur dhe t’i marrim ndeshjet në vazhdim si finale”.

TITULLI – “Diferencën e kemi bërë deri më tani. Në start të kampionatit, nuk na llogariti askush se Partizani do të ishte pretendent për titull, për shkak të problematikave që kishim. Por jemi sërish një nga ekipit që do të luftojë deri në fund për marrjen e trofeut”.

BILANCI ME RIVALËT – “Në raport me kundërshtarët, pavarësisht se nuk i kemi mundur, kemi bërë mirë. Me Teutën kemi tre barazime, kemi vetëm 2 humbje kundër Vllaznisë dhe Laçin, me të cilat kemi ndeshje sërish dhe mund ta rregullojmë bilancin”.

SULMI – “Çinari në përgjithësi ka kërkuar topat në thellësi, që do të thotë se dy mesfushorët do të kishin më shumë hapësira. Unë do t’i përgëzoj lojtarët dhe do t’i justifikoj, pasi kemi pasur vetëm një ditë kohë për të përgatitur ndeshjen. Kemi lojtarë të mirë që i kapin mirë zonat e sulmit. Kishim 3-4 aksione ku mund të shënonim dhe të fitonim", perfundoi ai.