Fryma erdhi, pse nuk e përmendin?

Ndërsa fushata e Ramës ka rënë në menynë standarde "1 premtim, 2 sharje  të kundërshtarit", e konsumuar çdo 4 vite në 30 vite e fundit dhe e ngjashme me fushatat e këqija njësoj si një Trude në gjerdanin e qyteteve uniforme të Italo Calvinos, fushata e opozitës ka ndezur.

Pyetja insistuese e gazetarëve dhe spindoktorëve të pushtetit se pse opozita nuk po krijon dot frymë është zhdukur nga qarkullimi. Arsyeja qëndron në faktin se fryma është krijuar dhe si një ortek po rrit njëkohësisht masën dhe shpejtësinë e saj. Për fatin e keq të pushtetit, orteku nuk ndalet dot as me akuza, as me mallkime.

Pritjet nga turmat entuziaste të liderit të opozitës në çdo qytet ku ai shkon ditë pas dite, qëndrimi pranues e hera herës mikpritës i vetë mbështetësve të Partisë Socialiste edhe në ato që njihen si bastionet e saj i kanë vënë vulën frymës së ndryshimit.

Se si u krijua kjo frymë është po ashtu e kuptueshme sot. Që nga tërmeti, Basha është një hap përpara Ramës. Basha propozon, rekomandon, nxit Ramën të veprojë. Ky i fundit fillimisht injoron, përqesh propozimet e kundërshtarit të tij, heziton dhe në fund detyrohet që sipërfaqësisht t'i adoptojë rekomandimet e opozitës.

Prej disa muajsh, Partia Demokratike ka prezantuar gradualisht programin e saj. Plane të mira pune janë hartuar nga ekspertët e ekonomisë, shëndetësisë, arsimit, turizmit, bujqësisë, anti-korrupsionit, sipërmarrjes, rinisë dhe çështjeve sociale. Një pjesë e angazhimeve të opozitës janë kritikuar, një pjesë janë mbështetur, një pjesë janë lëvduar. Por i gjithë debati është zhvilluar rreth programit të opozitës.

I gjendur përpara një opozite me alternativë serioze, Rama ka vrapuar të kopjojë disa nga angazhimet e listës dhe t'i arnojë me premtime nga muzeu i premtimeve të pambajtura që nga viti 2013. Në shumicën e herëve pa dhënë asnjë shpjegim se pse po risjell premtimet e vitit 2013, ai duket se i ka varur shpresat tek shanset që opozita të mos ia bëjë publike dështimet. Ky rulet rus, duhet thënë, nuk i ka funksionuar.

Megjithatë, për programin e tij nuk ka debat. Askush nuk e kritikon. Siç duket, askush nuk e beson dhe nuk pret që të ketë fatin të zbatohet. I dëshpëruar nga mungesa e vëmendjes, Rama është hedhur në kënetën e skandaleve, gjuhës së shthurur dhe parakalimeve të të fortëve. Por kjo vetëm ia ka përjeqësuar diagnozën.

Pas 8 vitesh në pushtet dhe përballë një opozite që ngjall shpresë, Rama është shfaqur nervoz, eksperimentues deri në vetëfundosje, është kacavjerrur pas miteve të diskutueshme dhe të diskreditueshme të disa kandidateve nga menaxhimi problematik i tërmetit dhe pandemisë. Megjithatë, as kjo nuk e ka ndalur ortekun opozitar të rritet dhe të shtojë shpejtësinë.

E vetmja armë që i ka mbetur është të bëjë gabimin që është e detyruar të bëjë çdo qeveri që e ka humbur mbështetjen e qytetarëve: t'i kërkojë administratës t'i dalë përpara ortekut dhe ta ndalë me duar. Rama më mirë se çdokush e di se kjo nuk do të ndodhë. Duart e ngritura formalisht të administratës do të tërhiqen në momentin e fundit dhe Rama do të përballet vetëm me furinë e opozitës.

Në kampin kundërshtar, Basha duket se po e shijon këtë sezon optimizmi dhe nuk ka lëvizur të bëjë ndonjë listë të gjatë premtimesh radikale. Ai ka ofruar një qeveri normale - një emër i ri për qeverinë e vogël - dhe më shumë fokus tek problemet e ekonomisë, krizës demografike dhe integrimit.

Kjo është fryma për mungesën e të cilës spindoktorët e pushtetit akuzonin opozitën. Është koha që për krijimin e saj t'ia njohin meritat opozitës dhe përgjegjësinë regjimit.