Covid-19/ Oksigjeni në tregun e zi, Meta: E rrezikshme dhe kriminale

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka lëshuar një thirrje të fortë për organet e drejtësisë në Shqipëri që të nxjerrin para ligjit kontrabandistët e oksigjenit, që po shfrytëzojnë të sëmurët me COVID-19 dhe po fitojnë miliona mbi jetët në rrezik. Presidenti po ashtu ka goditur tek rrënja e problemit, tek institucionet e shëndetësisë që nuk po i trajtojnë në kohë me oksigjen të sëmurët dhe i kanë lënë në mëshirën e spekulantëve.

“Mostrajtimi me oksigjen i të prekurve nga koronavirusi dhe lënia e tyre në mëshirën e spekulantëve të tregut të zi është e pafalshme, - vërejti Presidenti Meta sot. - Rëndimi i situatës shëndetësore të shumë të sëmurëve deri në kërcënim të jetës, i detyrohet mostrajtimit të tyre në kohë me oksigjen.

Për këtë është këmbëngulur, që trajtimi me oksigjen teknikisht të çertifikuar të kryhet nga mjeku i familjes dhe të mos pritet shtrimi në spital. Edhe projektet ndërkombëtare të ndihmës anticovid kanë synuar pikërisht këtë: Trajtimin sa më parë nga shërbimi mjekësor parësor me oksigjeno-terapi të të sëmurëve.

Është e rrezikëshme dhe kriminale, të trajtohen të sëmurët me oksigjen të paçertifikuar dhe pajisje, që u shiten në treg të zi familjeve deri në 5 herë më shumë se vlera e tregut. Të ndalet kjo kontrabandë e shëmtuar dhe e rrezikshme për shëndetin publik. Përgjegjësit para ligjit!- theksoi me forcë Ilir Meta.

Deklarata erdhi pas publikimit të një reportazhi nga rrjeti i mirënjohur i gazetarëve investigativë BIRN për këtë fenomen.