Mësuesit refuzojnë masivisht të vaksinohen në Durrës

Fillojnë refuzimet e para të vaksinës AstraZeneca në qytetin e Durrësit.

Burime të sigurta bëjnë me dije se në shkollën e bashkuar “Besnik Hidri” nga 44 mësues, 39 prej tyre kanë refuzuar vaksinimin.

Të njejtat burime deklarojnë se këta nuk janë arsimtarët e vetëm që refuzojnë të bëjnë vaksinën, pasi frika nga pasojat e mundshme të kësaj vaksime ka nisur të përhapet masivisht në shumë shkolla publike të qytetit.

Kujtojmë se në Durrës, nisi sot, mes refuzimit dhe një entuziazmi të përmbajtur,  vaksinimi i mësuesve me AstraZeneca.

Sakaq nga 220 mësues të 11 shkollave publike të qytetit, vetëm gati 100 u paraqitën për të marrë vaksinën, duke refuzuar kështu në heshtje injektimin e saj.

Mësuesit vinin të ndarë në grupe sipas një orari të përcaktuar së bashku me drejtuesit e shkollave, një pjesë nuk paraqiteshin pranë këtyre qendrave, ndërsa një pjesë tjetër, edhe pse kishin ardhur aty, refuzuan me shkrim ta marrnin vaksinën Astra Zeneca.

Jashtë kamerave mësuesit pohuan për frikën dhe pasigurinë e tyre ndaj vaksinës Astra Zeneca, por nuk pranuan të flisnin para mikrofonit, duke shmangur identifikimin e tyre në publik, për të larguar, sic pohonin, ndonjë masë administrative ndaj tyre.