A duhet pezulluar vaksinimi në Shqipëri? OBSH sqaron për SYRI TV

OBSH sqaron ekskluzivisht për Syri TV situatën e krijuar në 20 shtete ku është pezulluar vaksinimi me AstraZeneca, pas dyshimeve se ajo shkakton mpiksje gjaku. Të pyetur nëse qeveria shqiptare duhet të pezullojë vaksinimin e mësuesve, OBSH sjell si shembull vendimin e 20 shteteve, duke theksuar se pezullimi është ndërmarrë si një masë paraprake. Më tej zyrtarët e OBSH-së theksojnë se ende nuk ka një konkluzion përfundimtar nëse efektet anësore janë krijuar nga vaksina. 

Shumë shtete të Bashkimi Evropian kanë pezulluar përdorimin e vaksinës AstraZeneca, ndërkohë që në Shqipëri ajo po përdoret për vaksinimin e mësuesve. Syri TV ka pyetur Organizatën Botërore të Shëndetësise nëse Shqipëria duhet të marrë të njëjtën masë deri në një konkluzion përfundimtar në lidhje me dyshimet nëse mpiksja e gjakut është shkaktuar nga kjo vaksinë.

Zyrtarët e OBSH-së kanë pohuar ekskluzivisht për Syri Televizion se shumë shtete e kanë pezulluar si masë paraprake, ndërsa pritet që në ditët në vijim ekspertët e kësaj organizate të dalin në një konkluzion nëse efektet anësore janë shkaktuar nga vaksina AstraZeneca.

“OBSH është e vetëdijshme se si masë paraprake një numër vendesh në Rajonin Evropian kanë pezulluar përdorimin e vaksinës AstraZeneca COVID-19 bazuar në raportet e mpiksjes së gjakut në personat që ishin vaksinuar. Kjo nuk do të thotë që këto raste janë domosdoshmërisht të lidhura me vaksinën. Informacioni mbi rastet e raportuara po përditësohet dhe vërtetohet me kujdes. Komiteti Global Këshillëdhënës për Sigurinë e Vaksinave ka rishikuar situatën, është në kontakt të ngushtë me Agjencinë Evropiane të Barnave dhe do të takohet për të shqyrtuar provat në dispozicion. Komiteti pastaj do të këshillojë OBSH dhe shtetet e tij anëtare në përputhje me rrethanat”.

Vaksina “AstraZeneca” është pezulluar nga përdorimi në disa vende të Bashkimit Europian.

Të gjitha vendet kanë njoftuar se kanë shtyrë fillimin e shpërndarjes së tyre deri në sqarimin e vdekjeve të të injektuarve me dozën e parë të vaksinës.