Presion mësuesve për vaksinimin/ Koduzi: Po shtoni pasigurinë

Mësuesit po refuzojnë vaksinën e AstraZeneca, e cila ka shkaktuar efekte të rënda anësore në shumë vende evropiane.

Vaksina shkakton trombozë vdekjeprurëse, çka ka sjellë pezullimin e saj në vendet kryesore evropiane.

Ndërkohë në Shqipëri, mësuesit po vaksinohen me këtë vaksinë. Madje në mënyrë të tërthortë, atyre po u bëhet presion për të marrë këtë vaksinë.

Në Shkodër u është shpërndarë një formular ku u kërkohet mësuesve të tregojnë se përse nuk e duan vaksinën.

Gazment Koduzi nga Departamenti i Shëndetësisë në PD, e quan këtë një skandal.

“Përqasja përmes kërcënimit të tërthortë e mësuesve në Shkodër në këto momente pasigurie, nuk është ajo e duhura, përkundrazi. Qasja e duhur është pezullimi i kryerjes së vaksinës Astra Zeneca sa të kthjellohet nga institucionet prestigjioze raporti përfitim/dëmtim, si dhe të qetësohen qytetarët shqiptarë. Ndaloni presionin ndaj mësuesve në Shkodër apo kudo,” shkruan ai.