Vatikani: Kisha Katolike nuk mund t’i bekojë lidhjet e homoseksualëve

Vatikani tha të hënën se priftërinjtë dhe drejtuesit e tjerë të Kishës Katolike nuk mund t’i bekojnë bashkimet e të njëjtit seks dhe se bekime të tilla "nuk janë të ligjshme" nëse kryhen.

Zyra doktrinore e Vatikanit, Kongregata për Doktrinën e Fesë nxori urdhrin në përgjigje të pyetjeve dhe lëvizjeve në disa famulli për të dhënë bekime të tilla si një shenjë e mirëpritjes për katolikët homoseksualë, pasi Kisha nuk lejon martesë homoseksuale.

Papa Françesku e miratoi përgjigjen, tha Kongregata duke shtuar se ajo "nuk synonte të ishte një formë e diskriminimit të padrejtë, por përkundrazi një kujtesë e së vërtetës së ritit liturgjik".

Ajo tha se bekime të tilla nuk ishin të lejueshme edhe pse ato ishin "të motivuara nga një dëshirë e sinqertë për të mirëpritur dhe shoqëruar personat homoseksualë" dhe për t'i ndihmuar ata të rriten në besim.

Kongregata për Doktrinën e Fesë vërejti se qëkurse  martesa midis një burri dhe një gruaje ishte një sakrament dhe bekimet lidhen me sakramentin e martesës, ato nuk mund të shtriheshin tek çiftet e të njëjtit seks.

“Për këtë arsye, nuk është e ligjshme të jepet një bekim mbi marrëdhëniet ose partneritetet, madje edhe të qëndrueshme, që përfshijnë veprimtari seksuale jashtë martese (dmth., jashtë bashkimit të pazgjidhshëm të një burri dhe një gruaje të hapur në vetvete për transmetimin e jetës ), siç është rasti i bashkimeve midis personave të të njëjtit seks,” thuhej në të.