Serie A/ Interi triumfon në Torino dhe ‘marshon’ drejt titullit

Inter nuk ndalet në kampionatin italian, pasi ka fituar ndeshjen e 8-të radhazi dhe ka çuar në 9 pikë diferencën nga Milani ndjekës, që luan ndeshjen e vet mbrëmjen e sotme në “San Siro” ndaj Napolit.

Transferta ndaj Torinos nuk rezultoi aspak e lehtë për zikaltrit, që pas një pjese pa asnjë gjuajtje në portë, zhbllokuan sfidën në minutën e 62-të.

Lautaro fitoi një 11-metërsh, pas një ndërhyrjeje të gabuar të Izzos dhe Lukaku u tregua i saktë përballë Sirigut, duke kaluar në avantazh Interin.

Megjithatë skuadra “granata” reagoi mirë dhe riktheu baraspeshën 8 minuta më vonë, kur pas një rrëmuje në zonë ishte Sanabria që shtyu topin në rrjetë.

Zikaltrit protestuan për një faull në dëm të Barellës, por nuk kishte këtë mendim arbitri Valeri, që akordoi golin.

Në tentativë për të fituar ndeshjen, Stellini hodhi në fushë edhe Alexis Sanchez dhe në minutën e 85-të ishte pikërisht kileni që gjeti Lautaron me një asist të saktë në zonë, aty ku numri 10 mposhti Sirigun për herë të dytë, me një gjuajtje të bukur me kokë.

Vërshëllima finale e arbitrit la në fuqi suksesin 1-2 të zikaltërve, që kanë fituar të gjithë ndeshjet e luajtura për fazën e dytë të kampionatit, ndërsa skuadra “granata” mbetet në zonën e ftohtë të renditjes, me vetëm 18 pikë në 25 javë.