Heshti 24 orë, Rama komenton përplasjen e presidentit Meta me policët e Erion Velisë

Kryeministri Edi Rama ka qenë paraditen e kësaj të shtune në shkollën “4 Dëshmorët” në Tiranë, për të ndjekur nga afër procesin e vaksinimit të mësuesve aty.

Pas 24 orëve heshtje, Rama, pasi është pyetur nga gazetarët për ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme në zyrat e FRD ka dhënë edhe një prononcim të shkurtër.
“Ishte një shfaqje klinikisht e rëndë nga Meta. Ka çrregullime të rënda”, komentoi ai.

Kjo deklaratë e kryeministrit për aktin e presidentit të vendit, i cili ju doli përballë policëve të bashkisë së Tiranës, gjatë kohës që po bastisnin në mënyrë të jashtëligjshme selinë e një partie tashmë në opozitë, faktikisht nuk përbën surprizë pasi të gjitha mediat pranë tij “luajtën” me “çmendurinë” e presidentit dhe jo me shantazhimin dhe jashtëligjshmërinë e aksionit policor të urdhëruar nga Veliaj.