Ish presidenti i Juventusit kritika të forta ndaj klubit

Ish presidenti i Juventusit, Giovanni Cobolli Gigli ka dhënë një intervistë për mediat italiane, ku ka folur për menaxhimin e bardhezinjve dhe ka shprehur kritika të forta për blerjen e Cristiano Ronaldos.

Gjithashtu ai nuk ka kursyer as kritikat për zëvendës-presidentin Pavel Nedved, por edhe për drejtorin sportiv Fabio Paratici, për të cilët ka thënë se nuk kanë stilin e duhur për të punuar me Juventusin.

Ronaldo – E kam thënë që në fillim që është një kampion i madh, por një blerje e gabuar. Një gol i tij të kushton një milionë euro dhe për më tepër, është një futbollist që të kushtëzon shumë edhe në përzgjedhjen e organikës, apo të trajnerëve. Koha më dha të drejtë dhe mendoj se Juventus duhet të lirohet sa më parë prej tij.

Nedved – E kam njohur si një kampion të madh, por si zëvendës-president nuk është i denjë. Nuk ka aspak stil dhe shpesh më ka lënë shije të hidhur me sjelljen e tij, ndaj nuk e shoh të përshtatshëm për atë rol.

Paratici – Ka bërë lëvizje të gabuara dhe besoj se është një tjetër emër prej të cilit Juventus duhet të ndahet në fund të sezonit.

Sarri – Në dijeninë time, Agnelli ka qenë kundër afrimit të tij, por më pas është bindur nga Nedved e Paratici dhe ka pranuar. Megjithatë gjërat shkuan ashtu si të gjithë i pamë.

Pirlo – Edhe unë kam provuar me Ciro Ferrarën dhe gjërat nuk kanë shkuar mirë, ndaj më pëlqen vendimi i Agnellit për t’i besuar Pirlos. Mendoj se duhet të konfirmohet edhe për sezonin e ardhshëm, ku natyrisht që do të ketë më shumë kohë për të përgatitur skuadrën, por edhe më shumë eksperiencë mbi supe.

Lojtarët me potencial – Ka disa. Chiesa është një investim mjaft i mirë dhe më pëlqen puna në drejtim të italianizimit të skuadrës. Dybala duhet të jetë në qendër të projektit, ashtu si Demiral, që është një mbrojtës me potencial të madh.