Bajrami: Vendimi për të luajtur me Shqipërinë? Dëgjova zemrën!

Nedim Bajrami dëgjoi zemrën në momentin që duhet të zgjidhte mes kombëtares së Zvicrës dhe asaj të Shqipërisë.

Mesfushori në pronësi të Juventusit, i cili prej dy vitesh është i huazuar tek Empoli, ka zgjedhur që të luajë me kombëtaren kuqezi, pasi ka qenë pjesë e helvtëve në ekipet e moshave.

Bajrami do të jetë i grumbulluar me Shqipërinë për edicionin e kualifikueseve të Botërorit “Katar 2022”.

Ndërkohë së fundmi në një intervistë të dhënë për Koha.net, fantazisti 22-vjeçar, tregoi për vendimin e parë, duke zbuluar prapaskenat.

“Unë kam luajtur në të gjitha grupmoshat për Zvicrën dhe ishte momenti të vendosja se nëse do të shkoja të luaja për Zvicrën U-21 në Evropian apo për ekipin e parë të Shqipërisë. Kam biseduar me menaxherin Erdin Shaqiri (vëllai i Xherdan Shaqirit, i cili pati një rol të madh në vendimin e Bajramit), familjen time dhe në fund e mora vendimin vetë.

E kam dëgjuar zemrën. E ndjeva veten më shumë që të luaja për Shqipërinë dhe në fund e kam marrë këtë vendim. Jam shumë i lumtur që kam zgjedhur të luaj për Shqipërinë. Kemi biseduar me trajnerin e Zvicrës U-21, por më shumë e kam ndarë mendjen, e kam dëgjuar zemrën dhe u thashë për Shqipërinë. Edhe po të vinte Zvicra A, unë isha i vendosur të luaja për Shqipërinë.

Kam pasur kohë dhe jam menduar, por besoj se kam bërë zgjedhjen më të mirë që kam shkuar te Shqipëria, sepse në fund të fundit e ndiej veten shqiptar. Kam bërë hapin e duhur dhe është hap i madh për mua. Jam i ri dhe jam krenar që do ta kem mundësinë të luaj për Shqipërinë. Niveli i Shqipërisë është rritur.

Ka mundësi që të luaj për Shqipërinë këtë muaj. Kam biseduar edhe me Amir Abrashin dhe Arlind Ajetin, me të cilët kam luajtur dhe i njoh goxha mirë edhe nga afër. Më ka mbetur vetëm pasaporta. Unë jam gati të luaj për Shqipërinë”, tha Bajrami.