Evropa do të marrë 4 milionë vaksina Pfizer më shumë këtë muaj

Komisioni Evropian tha të mërkurën se ka arritur një marrëveshje me prodhuesit e ilaçeve, Pfizer dhe BioNTech për furnizimin e një shtesë prej katër milion dozash të vaksinës Covid-19 që do të shpërndahen këtë muaj.

Dozat për të vaksinuar dy milionë njerëz do të jepen për të lehtësuar lëvizjen në kufij dhe për të trajtuar vatrat më të nxehta të virusit, tha Komisioni.

"Për të trajtuar variantet agresive të virusit dhe për të përmirësuar situatën në vendet e nxehta, veprimi i shpejtë dhe vendimtar është i nevojshëm," tha Presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen.

Ky është një lajm i rrallë i mirë pas një mungese furnizimi nga Pfizer, ndërkohë që AstraZeneca është përpjekur të nxitojë me prodhimin, që ka ecur më ngadaltë se sa është rënë dakord.

Numri i infeksioneve dhe shtrimeve në spital u rrit shumë gjatë javëve të fundit në rajone si Tirol në Austri, Nice dhe Moselle në Francë, Bolzano në Itali dhe disa pjesë të Bavarisë dhe Saksonisë në Gjermani, sipas Komisionit.

Dozat shtesë do të përdoren për të mbështetur shtetet e BE në trajtimin e vatrave të nxehta veçanërisht në rajonet kufitare, për të rikthyer lëvizjen e lirë të mallrave dhe njerëzve, tha Komisioni.