VIDEO/ I riu qëllohet në kokë me pistoletë, policia në SHBA publikon pamjet e rënda

Policia e New Yorkut ka publikuar pamjet e kamerave të sigurisë, që kanë filmuar momentin kur një i ri qëllohet me revole para një dyqani në Bronx në mes të ditës.

Viktima ishte 35-vjeçar që u qëllua në kokë para një dyqani. Pamjet e publikuara më poshtë shfaqin viktimën e veshur me pallto të verdhë, i cili dukej se po hynte në lokal, por u ndal për pak për të shkëmbyer disa fjalë me dy të dyshuarit.

Megjithatë pas tensionimit të situatës, njëri prej tyre grushton viktimën në fytyrë derisa po largohej nga dyqani. Sikur kjo të mos mjaftonte, i dyshuari i dytë nxjerr revolen nga brezi dhe i shkrep dy plumba – duke e qëlluar të ndjerin në kokë.

Të dyshuarit menjëherë largohen nga vendi i ngjarjes, e viktima është shpallur i vdekur me të dërguar në spital. Në anën tjetër, policia ka bërë të ditur se deri më tani nuk është arrestuar askush – duke pranuar se hetimet janë duke vazhduar.

Identiteti i viktimës nuk është zbuluar me kërkesë të familjarëve të ndjerit. Zyrtarët policorë kanë bërë thirrje që kushdo që ka ndonjë informacion që mund të ndihmonte në kapjen e sulmuesve, t’i telefonojnë stacionit më të afërt policor.