Kapelo dhe Del Piero nuk i kursejnë kritikat ndaj Juventusit dhe... Cristiano Ronaldos

Eliminimi i Juventusit nga Liga e Kampioneve këtë herë mban vulën e Cristiano Ronaldos, teksa për këtë nuk janë të bindur tashmë vetëm tifozët që kritikojnë portugezin, por edhe ekspertët, figura të njohura të futbollit si Fabio Kapelo e Alesandro Del Piero.

Në analizën e tyre pas ndeshjes, ata nuk janë kursyer kundër portugezit për rolin e tij në këtë disfatë.

“Juventusi bën gabime elementare. Te ndeshja e parë i bëri një dhuratë duke u munduar që të niste aksionin nga poshtë. Pastaj kishte pavëmendje në golin e dytë, nuk mund të pësosh gola të tillë. Erdhi dhurata me penallti, Demiral u tregua naiv, mjafton që sulmuesit t’i rrish ngjitur. Është e rëndë. Por të rrotullohesh si bëri Ronaldo në murin mbrojtës, është e pafalshme, është shumë e rëndë. Lojtarët nuk duhet të kenë frikë nga topi”, tha ish-trajneri italian, i cili ka drejtuar në të kaluarën bardhezinjtë.

Edhe një ikonë e këtij klubi si Del Piero, nuk është kursyer në fjalët e tij, por gjithsesi e ka shpërndarë fajin dhe te të tjerët.

“Juventusi u tradhtua nga Ronaldo? Po, por jo vetëm. Për atë që është figura e Cristianos, duhet të theksojmë një ndeshje nën nivel, por edhe të vështirë, pasi Juventusi luajti kryesisht në krahë. Portugezi ka përgjegjësinë e tij pasi është lideri i kësaj skuadre, por jo vetëm ai. Juventusi ka luajtur për më shumë se një orë me një lojtar më shumë dhe gjatë kësaj periudhe mund të krijonte më shumë se Porto i priti gjithmonë. Që nga fillimi i ndeshjes Porto e priste e tërhequr”, tha Del Piero.