Infermieri në QSUT infektohet pasi mori dy dozat: E kam nga vaksina

Një infermier i QSUT-së është infektuar me Covid 19, edhe pse ka marrë të dyja dozat e vaksinës Pfizer. Lajmin e infektimit të Bledar Bregasit e jep Shoqata e Infermierëve në një postim në rrjetet sociale, ku i uron edhe shërim të shpejtë kolegut, që prej kohësh punon në QSUT.

‘Ndodh ne Shqipëri. Infermieri infektohet pas vaksinimit. I urojmë shërim të shpejtë kolegut tonë në QSUT”, thuhet në postimin në rrjetet sociale të shoqatës, ku është publikuar dhe një koment që ka bërë vetë Bregasi, i cili thotë se të gjitha këto i ka nga vaksina, por nuk specifikon se çfarë.

Ky në fakt nuk është rasti i parë që bëhet publik në vendin tonë, ku personeli mjekësor është infektuar pas marrjes së vaksinës. Më herët ka qenë mjeku Pipero ai që u infektua me Covid pasi mori dozën e parë të vaksinës Pfizer.

Të gjitha këto raste mbeten për t'u verifikuar, pasi nga Ministria e Shëndetësisë ka shumë heshtje edhe sa i takon efekteve anësore që mund të ketë dhënë vaksina te personat që e kanë marrë atë, që prej 11 Janarit, kur nisi edhe procesi në Shqipëri.