Fshatrat e Elbasanit pa investime/ Bardhi: Me 25 prill vjen ndryshimi, do rishikojmë ndarjen territoriale

Drejtuesi Politik i Qarkut të Elbasanit, Gazment Bardhi, ka zhvilluar ditën e sotme një takim me banorë të fshatrave Balëz dhe Rrile që ndodhen vetëm pak kilometra larg qytetit, ku ka konstatuar se gjendja është e mjerueshme.

Bardhi ka premtuar se me 25 prillin ku do të vijë ndryshimi do të rishikohet edhe ndarja territorial.

 ‘Në fshatrat Balëz dhe Rrile që janë vetëm pak kilometra larg Elbasanit, çdokush kupton se çfarë ka ndodhur me qeverisjen këto 8 vite. Braktisje totale dhe lënie e njerëzve në mëshirën e fatit. Asnjë investim në rrugë, në ujësjellësa, në kanalizime, vaditje, asnjë subvencionim për bujqësinë dhe blegtorinë.

Banorët u shprehën të revoltuar se kanë vite që nuk e ndjejnë praninë e qeverisë dhe as të Bashkisë Elbasan. Drejtuesi Politik i PD për Qarkun e Elbasanit, në bashkëbisedime me ta, u shpreh se qeveria nuk i ka prioritet njerëzit, dhe se paratë që janë të qytetarëve, i shpërndan sipas interesave dhe për fasada.

Gazment Bardhi tha se PD pas 25 prillit do të rishikojë ndarjen territoriale, do të bëjë korigjimet e duhura, pasi janë shumë ish-komuna dhe shumë fshatra që nuk marrin asnjë shërbim. Ndarja administrative, sipas Bardhit, ishte një dështim.

“Ne do ta zhbëjmë Reformën Territoriale, nuk ka nevojë për 450 njësi administrative sa ç’ishin para 2015-ës, por 120 deri në 150 njësi administrative Shqipëria ka nevojë. Do të tentojmë ta bëjmë me ligj dhe na duhen 84 mandate.”

Bardhi u shpreh se program i PD parashikon subvensionim për bujqësinë dhe blegtorinë, sipas dynymëve dhe krerëve të bagëtive, dhe vetëm me kartën e identitetit, duke hequr burokracitë e pengesat që ka vënë qeveria.

“Përqëndrimi ynë është të nxjerrim fshatin nga mjerimi, sepse po nxorëm fshatin nga mjerimi kemi nxjerrë 50% të popullsisë. Braktisja ka ardhur prej dy faktorësh, e para, i konsederojnë njerëzit si dele, i varfërojnë me idenë që të vijnë t’i blejnë ditën e votimit. Prandaj e kanë braktisur fshatin dhe Elbasanin për tetë vite dhe e dyta bënë Reformën Territoriale me idenë që do kishin më shumë mundësi për investime, ju vunë disa taksa shtesë, ju mbytën me gjoba. Ju rrisin taksat dhe i çojnë tek Bashkia e Elbasanit që ai të ndërrojë pllakat. Rama tha se ka shpërndarë 95 milionë euro vitin që shkoi. I ka marrë Bullai, i ka marrë Gjergj Luca dhe i kanë marrë shokët e Taulant Ballës”, tha Bardhi.

Banorët shprehën gadishmërinë për ndryshim me 25 prill, për t’i thënë stop mashtrimeve 8 vjeçare dhe politikanëve që kanë abuzuar me besimin që ata u kanë dhënë.’