'Duke filluar nga unë, Kryeministri i ardhshëm, të hapur para drejtësisë! Pranga, kujtdo zyrtari të korruptuar!'

Kryetari i opozitës Lulzim Basha ka bërë një zotim të fortë publik, pas orë pasi Departamenti Amerikan i Shtetit doli në konkluzionin se “qeveria e Shqipërisë nuk bëri asnjë përparim të dukshëm drejt pengimit të pastrimit të parave dhe krimeve financiare në vitin 2020 dhe se Shqipëria mbetet e ndjeshme ndaj pastrimit të parave për shkak të korrupsionit, rrjeteve të krimit të organizuar dhe institucioneve të dobëta ligjore dhe qeveritare.”

Basha deklaroi se “ligji dhe zbatimi i hekurt i ligjit i pret ata që për tetë vite kanë shkaktuar vuajtje dhimbje, varfërim, papunësi, shpopullim”.

"Në 25 prill vota juaj është garancia për këtë ndryshim. Në 25 prill garanti jam unë dhe qeveria që do të dalë nga vota juaj.

Duke filluar nga unë i pari, Kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë, e deri te zyrtari më i fundit, do të jemi të hapur para drejtësisë, do t'ia çlirojmë drejtësisë duart, për t’ia vënë prangat kujtdo zyrtari të korruptuar që vjedh bukën e gojës së fëmijëve tuaj; që e kthen vendin në një parajsë të trafiqeve, të krimit, të paligjshmërisë, në delen e zezë të Europës siç konstatojnë raport pas raporti dhe sot, raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit!

Ligji dhe zbatimi i hekurt i ligjit i pret të gjithë ata që për 8 vite kanë shkaktuar vuajtje, dhimbje, varfërim, papunësim, shpopullim.

Zotohem sot para jush, theksoi Basha. -  se akti im i parë dhe i fundit si Kryeministër do të jetë garantimi i pavarësisë së plotë të drejtësisë, me duart larg nga drejtësia, me funksionimin deri në fund të reformës në drejtësi dhe institucioneve."