'Rindërtimi' i flak rrugëve banorët e Kombinatit, Këlliçi: Më 25 prill e ndalim këtë poshtërsi!

Fatkeqësia që u ra nga tërmeti, rrënimi i apartamenteve dhe i shtëpive private të qindra familjeve në Kombinat, nuk ka qenë asgjë në krahasim me fatkeqësinë që u ka rënë mbi kokë tani nga qeveria. Kur prisnin që t’u rindërtonte shtëpitë, familjeve iu janë prerë uji e dritat dhe janë nxjerrë jashtë me policë, për t’i zhvendosur në periferitë e tjera të Tiranës.

Belind Këlliçi, drejtues politik i PD-së që shkoi në zonë, iu premtoi këtyre banorëve se vetëm në 25 prill do të mund të ndalet kjo poshtërsi, nga qeveria e Partisë Demokratike. Pas takimeve që kreu në lagjet e rrëmujshme e të paqeta të Kombinatit në Tiranë, Këlliçi shkroi në Fb:

“Në Kombinat qendër e tashmja është një fotografi e nëntorit 2019. Që prej tërmetit s'ka lëvizur asgjë për mirë. Shumë familje që s'kanë përfituar bonus qiraje, qëndrojnë ende në pallatet e dëmtuara. Nuk kanë para të jetojnë tjetërkund. Policia shkon t'i nxjerrë me forcë. U presin dritat dhe ujin. 

Pas tërmetit vendosën një shirit ndalimi pa bërë kontrollet përkatëse. Asnjë ekspert nuk ka shkuar për të caktuar se cilat pallate duhen shembur. Fadromat dhe kompania e caktuar për këtë punë ishin pa stemë identifikuese. Nuk dihet ende cilët ishin. Banorët nuk kanë marrë asnjë shkresë apo proces-verbal për veprimet që janë kryer. Aty ku punohet pa shkresa, ku puna nuk dokumentohet, ka vjedhje. Më 25 prill ne do ta ndalim këtë poshtërsi! Edhe 59 ditë!” nënvizoi Këlliçi.