A është ky mutacioni që nxjerr jashtë loje vaksinën?

BILD

Një tjetër variant i virusit është kthyer në shkak për shqetësim!

Varianti B1526 është shfaqur në Nju Jork në nëntor dhe është përhapur. Ajo që bie në sy është se dy ekipe të ndryshme shkencëtarësh kanë zbuluar se ky variant redukton efektshmërinë e vaksinës.

Shkencëtarët nga Instituti i Teknologjisë në Kaliforni dhe Universiteti i Kolumbias kanë studiuar materialin gjenetik të virusit.

Ata kanë zbuluar se mutacioni E484K, që më parë është hasur në variantin e Afrikës së Jugut, redukton reagimin imun. Përveç kësaj, mutacioni S477N i këtij varianti është në gjendje të ndikojë mënyrën se si lidhet virusi me qelizat njerëzore.

Studimet e tyre janë publikuar, por nuk janë kontrolluar akoma nga ekspertët.

Për shkak se varianti po përhapet me shpejtësi, virologët janë të shqetësuar në bazë të këtyre rezultateve.

“Nisur nga përfshirja e dy mutacioneve E484K dhe S477N, shto këtu faktin se zona e Nju Jorkut ka një imunitet të madh për shkak të valës së pranverës, ky është një variant që duhet mbikëqyrur,” tha Kristian Andersen i institutit ‘Scripps Research’ në San Diego.